Gjermania me kërkesa për Kosovën dhe Serbinë për rastet e Arbnor Spahiut dhe Igor Popoviqit – Ministri i Shtetit ka takuar Sorensenin - Gazeta Express
string(145) "gjermania-me-kerkesa-per-2kosoven-dhe-serbine-per-rastet-e-arbnor-spahiut-dhe-igor-popoviqit-cfare-tha-ministri-i-shtetit-pas-takimit-me-sorensen"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 14:35

Gjermania me kërkesa për Kosovën dhe Serbinë për rastet e Arbnor Spahiut dhe Igor Popoviqit – Ministri i Shtetit ka takuar Sorensenin

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 14:35

Ministri i Shtetit i Gjermanisë, Gunther Krichbaum, ka takuar emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dy ditë më parë në Berlin.

Ministri gjerman tha se qeveria e tij e mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet e Sorensen në këtë drejtim, raporton Gazeta Express.

“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura pa vonesë të mëtejshme, të përmbahen nga çdo deklaratë ose veprim përshkallëzues. I nxis të dyja vendet të rifillojnë angazhimin e tyre të plotë në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, edhe për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një përmbajtje të kujdesshme në deklaratat publike, duke pasë parasysh mandatet përkatëse të secilës palë”.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra Federale e Jashtme, Krichbaum tha se Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit.

Gjermania tha se është duke e monitoruar nga afër rastin e arrestimit të zyrtarit serb, Igor Popoviq, nga autoritetet kosovare dhe po ashtu arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe. Për Spahiun, ministri gjerman kërkoi edhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, sipas të cilave veprat penale që kryhen në Kosovë procedurat ligjore duhet të zhvillohen në Kosovë.

“Ne e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për këtë. Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Europian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmës Drejtorit të Serbisë Igor Popoviq në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”.

“Gjithashtu, po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë që thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”.

Krichbaum në fund pati një rikujtim për palët se si mund të bëhen anëtare të BE-së.

“U kujtoj të gjithë aktorëve të përfshirë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore europiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE.