Gjermania ka konfirmuar zyrtarisht planet për të ndihmuar Ukrainën me më shumë se tre sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, duke theksuar rritjen e mbështetjes europiane përballë intensifikimit të kërcënimeve ruse.
Sipas Reuters, zëdhënësi i qeverisë gjermane ka deklaruar se partnerët europianë po kontribuojnë në blerjen e këtyre sistemeve për Ukrainën, ndërsa NATO nuk do të përfshihet drejtpërdrejt në këtë nismë.
“Nga perspektiva e BE-së, bisedimet janë për më shumë se tre sisteme Patriot për Ukrainën,” raporton Reuters.
Dihet se këtë javë, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, ndodhet në Uashington për të diskutuar hollësitë e zbatimit të marrëveshjes – përfshirë se sa sisteme do të dërgohen, kush do t’i administrojë dhe si do të financohen.
Kujtojmë se më parë, ishte raportuar se Gjermania do të financonte dy sisteme Patriot dhe Norvegjia një tjetër, kurse në të dhënat e fundit duket se vendi do të përfitojë më shumë.
Bëhet e ditur se zëdhënësi gjithashtu ka shtuar se autoritetet gjermane kanë vënë re një “përqendrim më të madh të trupave ruse”, duke nënvizuar se “duhet të forcojmë mbrojtjen e Ukrainës”.
Zhvillimi vjen ndërsa Ukraina është duke u përballur me sulme intensive ajrore nga Rusia dhe po kërkon me urgjencë ndihma për të mbrojtur infrastrukturën dhe popullsinë civile.