Gjermania heton përgjimin e mundshëm të oficerëve pas publikimit të një bisede nga mediat ruse - Gazeta Express
string(94) "gjermania-heton-pergjimin-e-mundshem-te-oficereve-pas-publikimit-te-nje-bisede-nga-mediat-ruse"

Gjermania heton përgjimin e mundshëm të oficerëve pas publikimit të një bisede nga mediat ruse

Lajme

Gazeta Express

02/03/2024 21:40

Gjermania tha të shtunën se ka filluar hetimet për atë që dyshohet se është përgjim i një bisede telefonike, pasi Moska tha se regjistrimi i një oficeri gjerman tregonte se po bisedonte rreth armatimeve për Ukrainën dhe sulmeve të mundshme nga Kievi në një urë në Krime.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë tha të shtunën se Zyra Federale e Kundërzbulimit Ushtarak po hetonte mbi atë që duket se është një rast përgjimi dhe nëse ekzistonte mundësia që regjistrimi të jetë modifikuar.

Lexo Edhe:

Kancelari gjerman Olaf Scholz, duke folur gjatë një vizitë në Romë, e quajti rrjedhjen e mundshme “shumë serioze” dhe tha se “tani çështja po shqyrtohej me shumë kujdes”.

Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe drejtuese e kanalit “Russia Today” postoi audion në profilin e saj në rrjetin social Telegram dhe tha se në audio oficerët gjermanë dëgjohen “duke diskutuar se si të godasin urën e Krimesë”, e cila lidh Rusinë me gadishullin ukrainas që Moska e aneksoi në vitin 2014.

Reuters dëgjoi regjistrimin 38-minutësh, por nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tij.

Në bisedë, personat e përfshirë diskutojnë dërgimin e mundshëm të raketave Taurus në Kiev, një pretendim që kancelari Scholz deri më tani nuk e ka pranuar. Ata gjithashtu flasin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas dhe objektivat e mundshme ushtarake.

Ambasada e Rusisë në Berlin nuk iu përgjigj një kërkese për koment të dërguar me email të shtunën nga agjencia e lajmeve Reuters në lidhje me akuzat për spiuanzh të mundshëm. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ruse tha në mediat sociale të premten: “Ne kërkojmë një shpjegim nga Gjermania”, pa dhënë më tepër hollësi.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli me gazetarët të shtunën për “planet dinake të ushtrië gjermane, të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të këtij regjistrimi. Ky është një veprim flagrant”, tha zoti Lavrov./VOA