Gjermania e mbyllur deri në fund të vitit - Gazeta Express

Gjermania e mbyllur deri në fund të vitit

Gazeta Express

22/11/2020 14:00

Gjermania pritet t’i zgjasë masat aktuale kufizuese për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit edhe në dhjetor.

Gjermania ka aplikuar një mbylljen nga 2 nëntori, në mënyrë që të ulet numri i të infektuarve.

“Çdo gjë po qon te faktet se kufizimet aktuale duhet të zgjaten përtej 30 nëntorit”, ka thënë ministri i Financave, Olaf Scholz, për “Bild am Sonntag”.

Baret e restorantet janë mbyllur, po shkollat dhe shitoret mbesin të hapura.

 Tubimet private janë të lejuara, por me një kufizim prej maksimum dhjetë personave dhe dy familjeve.

Kreu i CSU-së në Bavari, Markus Soeder, ka thënë se në rrethana ideale maat do të zgjerohen për tri javë, pra deri më 20 dhjetor.

“Vala është thyer, por për fat të keq numri i infeksioneve nuk po ulet. Kujdesi intensiv vazhdon të jetë i ngarkuar dhe numri i të vdekurve po rritet. Për këtë arsye nuk mund të hiqen masat”, ka thënë Soeder.

Ai ka thënë se kinematë, baret e hotelet duhet të mbesin të mbyllura, duke shtuar se duhet të kenë ndalim edhe për mjete piroteknike e alkool në natën e Vitit të Ri në sheshe të mëdha.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohet me liderët e landeve gjermane më 25 nëntor për të diskutuar nëse duhet të zgjaten kufizimet përtej 30 nëntorit.

Scholz ka thënë se do të vazhdohet me pako ndihme për sipërmarrjet e prekura nëse vazhdohet me kufizime, por ka thënë se vazhdimi i kompensimit të 75 për qind të të hyrave të humbura, do të jetë sfidë sipas ligjeve të konkurrencës evropiane.