Gjermania e Botërorit '54, rilindi. Franca e '98, rigjeti republikën mes ngyrave etnike. Po Kosova? - Gazeta Express
string(92) "gjermania-e-boterorit-54-rilindi-franca-e-98-rigjeti-republiken-mes-ngyrave-etnike-po-kosova"

OP/ED

Gazeta Express

29/03/2026 20:08

Gjermania e Botërorit ’54, rilindi. Franca e ’98, rigjeti republikën mes ngyrave etnike. Po Kosova?

OP/ED

Gazeta Express

29/03/2026 20:08

Shkruan: Mentor Nazarko

paralele sfiduese… me botën. Patriotizmi vs suksesi futbollistik

Der Spiegel gjerman, e quan fitoren e Botërorit të futbollit nga RFGJ në 1954 çasti i vërtetë i lindjes së Republikës Federale. Frankfurter Allgemeine Zeitung e quan momenti kur Gjermania e gjeti sërish veten; politologu gjerman Arthur Heinrich e quajti- çlirim nga kompleksi i fajit;   fillimi i një vetëbesimi të ri kombëtar.Historiani Hans-Joachim Teichler e quajti   kontribut në normalizimin e kombit. Ndërsa filmi “Mrekullia e Bernës” e quan   rilindje morale, familjare dhe kombëtare.  Kjo është arsyeja pse perceptimi publik për futbollin  është më i fortë se analiza akademike. Me siguri profesor Artan Fuga, ndërsa në stilin e vet divulgativ u tall me ata që në ekrane lidhin futbollin me patriotizmin pas humbjes sonë me Poloninë, e kishte thjesht dhe vetëm me kolegë që sulmonin futbollistët me terma të mëdha e të përciptë –fryrës e shfryrës.

Tema e suksesit sportiv e ndërlidhur me patriotizmin është sfiduese, dhe me siguri Kosova sot është lënda botërore më e mirë. Për ata që thonë ç’lidhje kemi me Gjermaninë humbëse, le të shkojmë tek komentet për turmën një milionëshe në Champs Elysées, kur Franca fitoi Botërorin e 1998, ku do gjejmë terma akoma më entuziastë: filozofi Edgar Morine shkroi- çfarë ekstaze  për unitetin e gjetur republikan; ndërsa dikush tjetër e quajti 14 korriku spontan i Republikës…

 sporti kosovar fitoi në 10 vjet, parale me politikën  që nuk po fiton

10 vjet më parë, Fadil Vokrri,një legjendë e futbollit për serbët e shqiptarët  arriti ta fuste Kosovën në UEFA dhe FIFA, mbase (?) duke përdorur pak  edhe njohjen me drejtuesit e federatës serbe që bënë rezistencë të dobët.  Rusët tentuan ta përdornin precedentin  e anëtarësimit të Kosovës për të kërkuar në UEFA hyrjen e republikëzave ruse në Gjeorgji, etj, që u refuzuan. Si pasojë e kryeveprës diplomatike të Vokrrit dhe Ademit -futbollistë, bashkëvendasit e tyre të rinj, mund të sfidonin Rusinë menjëherë në ndeshjet e grupit dhe të mbërrinin në  botërorin e 2018 që po zhvillohej atje.  A do ta merrnin vizën futbollistët dhe tifozët kosovarë? Po, sepse në 2015, ish xhudisti  Putin e kishte pranuar  Driton Kukën dhe Majlinda Kelmendin  megjithë pasaportën e tyre. Majlinda fitoi në Kazanin rus, ngriti flamurin e Kosovës atje dhe himni  kosovar u intonua në një sallë ku të pranishmit me gjithë Putinin u ngritën në këmbë.

10 vjet më pas, bijtë e gastarbeiterve me flamurin e sajuar nga perëndimorët, kaluan 100 vende në klasifikimin e futbollit globalisht. Mbushën tre përfaqësuese me talente- Zvicrën, Shqipërinë e Kosovën, dhe sot paraqiten në dyert e botërorit, kësaj radhe në SHBA. Serbia, vendi që donte ta zhdukte racën shqiptare nga shteti i vet, me një shkollë futbolli të famshme në Europë, po gëllit poshtërimin e krijuar prej  golit të Manajt në Serbi dhe suksesit të kosovarëve duke u ankuar pa dinjitet në UEFA pse kosovarët bëjnë shenjën e shqiponjës në Sllovaki. Kjo që ndodhi në 10 vjet është me të vërtetë një ëndërr, e krijuar prej një populli të talentuar që mori lirinë, por bukur gjatë dhe izolimin e vizave:  sot  ky popull do afirmim shpagues në vitrinën më të madhe të botës, futbollin.  Ky është triumfi i individit të racës shqiptare që e përzënë nga pushtuesi serb, ikur nga lufta apo keqqeverisja, shkëlqen në sisteme gjermanike, qeverisur me disiplinë e vizion. Talentet e Kosovës, të mbrujtur nga etërit e tyre punëtorë të thjeshtë shpesh, dikur produkt  i shkollës jugosllave të futbollit, të udhëhequr nga trajnerë zviceranë gjermanikë po i japin leksion jo thjesht dhunuesve të prindërve të tyre, por gjithë Europës.

Kosova sot është Hirushja e kontinentit në futboll. Po ndërsa futbolli dhe xhudoja eci kaq shumë në 10 vjet apo 27 vjet, mbështetur mbi traditën e ish Jugosllavisë, mbi energjinë e pavarësisë dhe lirisë, prirë nga trajnerë gjermanikë, ku mbërriti politika vetëvendosëse, që injoron mësuesit perëndimorë? Çfarë ka bërë politika kosovare në këto dhjetë vjet? As ka ndihmuar veten dhe as… futbollin. Vijon të shpërdorojë dhuratën perëndimore të shtetësisë, në fillim me klasën e komandantëve që donin të ishin të përjetshëm derisa një pjesë e tyre padrejtësisht përfunduan në Hagë; e tani me një grup tjetër, rob i një amalgame teorish majtiste, viktimizuese, sfiduese të atij perëndimi që e krijoi Kosovën, po vijon të merret me një dialog që nuk mbaron kurrë kësisoj. Don të marrë hise nga suksesi i futbollit me inskenime entuziazmi, statuse të ndjerë në rrjete sociale, apo premio, por as një stadium nuk i ka ndërtuar….

Futbolli kosovar,  si dhe në Shqipëri e ka tejkaluar politikën.

Po i jep asaj shembullin e vet, si të sillet me botën, me kundërshtarin historik, me vendet jonjohëse ( kujtoni Muriqin se çfarë këmbane kosovare është për Spanjën me suksesin e  vet).

Kush e mundi Serbinë në paqe: politika apo futbolli?

Kush e bëri të njohur Kosovën në shtete jonjohëse- politika apo futbolli?

E ndiej që tani se filozofët antiglobalistë që komandojnë ushtri digitale në shërbim të qeverisë mbase do orientojnë prishtinocentrikisht pëlqimet popullore të rrjetit, që të përfitojnë duke treguar me përçmim Tiranën.  Fqinjët xhelozë do investohen në fuqizimin e dallimeve brendashqiptare, duke i politizuar ato, e duke vijuar me armën qaramane të viktimizimit të pakicës serbe. Politika kosovare do tentojë të marrë merita që nuk i ka, dhe asaj thjesht duhet t’i thuhet: nëse do ndiqnit apo dhe bashkëpunonit me modelin e sportit, të Majlindës e Dritonit në xhudo, të Zhegrovës e Muriqit në futboll, apo të Rita Orës dhe Dua Lipës në muzikë, Kosova politike dhe shtetërore do t’i kishte punët më mirë.  Politika as stadium të ri nuk bëri, megjithë premtimet gjigande për ta bërë afër fshatit të dikujt, apo indiferencës aktuale përballë rrënimit të stadiumit pre-pavarësi mes Prishtinës.

Paralelet e futbollit me futbollin.. dhe kombin

Nëpërmjet paraleles sport-politikë post pavarësi shkohet tek një pyetje tjetër e madhe: identitet i ri shtetëror apo kombëtar?  A mund ta mbajë dhe si do ta administrojë shteti i ri, shoqëria e re, madhështinë e një suksesi eventual nëpërmjet kualifikimit në botërorin amerikan? Diçka mund të filtrohet si fillim prej fjalëve të presidentit të futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për Top Channel. Vetë futbollist i Prishtinës në vitet 70, ndihmës i Vokrrit të madh, ndërmarrës gjithashtu me eksperiencë jetësore në Zvicër, Ademi ka dëftyer deri më tani modesti, urtësi dhe disiplinë të hekurt. Kurrë nuk i është kundërvënë publikisht Federatës së Shqipërisë, megjithëse nëna i ka marrë lojtarë. Tani mund të ndodhë e anasjellta, ndaj Ademi, ora e të cilit ka ardhur fuqishëm, i bëri thirrje shqiptarëve të gjithë trojeve që të identifikohen me përfaqësuesen e Kosovës. Ka përzgjedhur mençurisht trajnerë zviceranë gjermanikë modestë, por të ngurtë që kanë treguar aftësi për të ujdisur karaktere të vështira lojtarësh (kujtoni Zhegrovën tek rezervat), apo eventualisht manaxherësh e drejtuesish klubesh. I ka mbijetuar me mjeshtëri presioneve të politikës që don ta kontrollojë dhe që sot vetëm hesht para suksesit të Ademit, duke dashur të përfitojë prej energjisë që krijon suksesi i një populli të vogël në një garë botërore miliarda shikuesish.

Futbolli kosovar ka nxitur një ndjenjë të fuqishme përkatësie kolektive, që  mund të jetë fillesa e fuqishme e një ndjenje të re kombëtare. Nuk po i referohem sherreve në rrjete sociale të ngjashme me ato mes lacialëve dhe romanëve, se ne kosovarët dimë më mirë se ju te Shqipërisë të luani futboll, etj, etj.  As nuk pres që si Mandela futi lojtarë të bardhë me shumicë në ekipin e Afrikës së Jugut, të kemi lojtarë serbë në përfaqësuesen e Kosovës, sepse serbët e udhëhequr nga Beogradi nuk do ta pranojnë këtë ekip si të tyrin. Pres ama që këtij suksesi diferencues diku diku të pjesëve të kombit, por dhe ngjizës të një identiteti të ri, mund t’ i përngjiten inxhinierë  brendakosovarë të opinionit, që duan ta kalërojnë, sepse i ngjan vetja si rilindas të kohëve  moderne. Apologjetët e kombit kosovar si projekt politik do gjejnë ushqim të përciptë me domosdo për të ushqyer turmat e rrjeteve sociale.

Ja pra që futbolli nuk është vetëm futboll: Kosova ka fituar luftën në 1999, me gjakun e vet dhe armët e NATO-s, ndaj nuk është si Gjermania e 1954, që e humbi Luftën e dytë botërore. Nëse Gjermania humbëse rilindi prej futbollit, po Kosova fituese çfarë mund të arrijë? Nëse Franca e 1998, rigjeti unitetin black-blanc-beur (multietnicitetin), po Kosova çfarë do të prodhojë politikisht e kombëtarisht?

Të presim ballafaqimin me Turqinë- ishalla moti mban mirë, duke kursyer për djelmoshët baltën e stadiumit ish jugosllav- dhe të shohim çfarë do të mbledhë përpara orteku kolektiv i arsyes, dhe i mosarsyes ….

Advertisement
Advertisement
Advertisement