string(121) "gjermanet-kane-disa-kerkesa-per-serbine-rreth-rastit-te-policit-arbnor-spahiu-qe-po-mbahet-atje-ambasada-flet-per-express"

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 16:11

Gjermanët kanë disa kërkesa për Serbinë rreth rastit të policit Arbnor Spahiu që po mbahet atje – ambasada flet për Express

Lajme

Gazeta Express

12/06/2025 16:11

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se pret që autoritetet serbe të hetojnë sa më shpejt besueshmërinë e akuzave në rastin e arrestimit ish-policit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu. Në një përgjigje për Gazetën Express, ambasada gjermane në Prishtinë konfirmoi edhe që ambasada e tyre në Beograd është në kontakt me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi.

Alma Baxhaku

Autoritetet kosovare dje thanë se kanë informuar vendet e QUINT-it dhe gjithë trupin diplomatik për arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu në Serbi. Ministria e Jashtme tha se “në mënyrë të veçantë” ka komunikim të rregullt me ambasadën gjermane meqë Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani.

Për këtë rast ka folur ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express ku ka konfirmuar komunikimet, por edhe pati një kërkesë për autoritetet serbe, të cilat Spahiun e ngarkojnë me veprën penale “vrasje e rëndë” në rastin e Banjskës.

“Mund të konfirmojmë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka kontaktuar me ambasadën gjermane në Beograd lidhur me këtë çështje. Ata janë në kontakt për rastin e z. Spahiu. Presim që autoritetet serbe të hetojnë sa më parë kredibilitetin e akuzave ndaj z. Spahiu dhe – natyrisht – të garantojnë respektimin e të gjitha standardeve ligjore gjatë këtij procesi”, ka thënë ambasada për Express.

Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u arrestua më 7 qershor nga Serbia në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

Atij iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim, ndërsa autoritetet serbe po e ngarkojnë me veprën penale “vrasje e rëndë” siç ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë Gjykata e Lartë në Suboticë.

Sipas autoriteteve serbe, Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë gjatë sulmit terrorist në shtator të 2023-ës.

Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë.

“A.S. ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”, u tha në përgjigjen e policisë.

Pas thirrjes për reagim nga familja e Spahiut, institucionet e vendit bënë me dije se po merren me këtë rast dhe se janë në kontakt me diplomatët e huaj në vend, si dhe me Zyrën Ndërlidhëse në Serbi.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi i quajti “veprime shoviniste” të Serbisë dhe tha se veprimet e tilla që ngjajnë me ato të viteve të 90-ta mund të rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.

“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, tha Osmani.

Po ashtu edhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, tha se institucionet janë angazhuar për rastin, ndërsa këto veprime nga Serbia i përshkroi si “sjellje jonormale”.

“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë.  Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”.