Gjeopolitika etnike e Putinit: Kosova, fushëbeteja e parë (2) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

12/02/2020 14:40

Gjeopolitika etnike e Putinit: Kosova, fushëbeteja e parë (2)

OP/ED

Gazeta Express

12/02/2020 14:40

Cilat janë argumentet qe përdor Putini në qëndrimet e tij për Kosovën? Ato që vërehen me vonë edhe te vendet tjera?

Shkruan: Enver Hoxhaj

Në gushtin e 1999, Boris Jeltsini do ta befasoj botën me vendimin e tij për ta emëruar Putinin si Kryeministër të Rusisë. Shumë pak dihej ndërkombëtarisht se kush ishte ai në të vërtetë. Gjatë kishte punuar pas perdeve dhe me poste jo të larta. Në fund të viteve 80’ shërbeu në stacionin e KGB-së në Drezden, me një detyrë interesante: puna e tij nuk ishte spiunazhi por kundërspiunazhi. Do të thoshte identifikimi, mundja (defeating) dhe shkatërrimi armiqve sovjetikë. Në fillim të 90’, kur Mikhail Gorbachev u zotua për ta modernizuar dhe hapur Bashkimin Sovjetik, deri atëherë të mbyllur e komunist, Putini u bë i njohur brenda shërbimit të KGB me këtë fjali. “Çfarë po bënte Gorbaqov ishte konspiracion për ta shitur atdheun tek interesat e huaja”.

Më vonë, si President do ta përsëriste se shpërbërja sovjetike “ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”. Një karakteristikë e Putnizmit është ideologjia e restaurimit: ambicia për një restaurim politik, territorial dhe shpirtëror të gjeopolitikës cariste dhe sovjetike. Rusët dhe sllavët shihen si zgjatje të njëri-tjetrit dhe këto janë premisa bazike e të menduarit dhe vepruarit gjeopolitik.

Në këtë kontekst, vizitat e tij në Serbi i shërbejnë qëllimit sesi Rusia ta këtë njërën këmbë në Ballkan. Për herë të parë, me 17 qershor të 2001, ai do ta vizitoj Beogradin dhe kjo po ndodhë pas shumë dekadash që një udhëheqës i lartë nga Moska po qëndronte në kryeqytetin serb. Tema kryesore ishte Kosova. Sipas tij “stabiliteti në regjion është seriozisht i kërcënuar nga ekstremistët nacional e fetar dhe burimi kryesor është Kosova”.  Po ashtu, kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të çarmatos “terroristët” shqiptarë. Nëse kjo ndodhë, ai e siguronte bashkësinë ndërkombëtare se Rusia do të bashkëpunoj me ta dhe në interes të serbëve në Ballkan, meqë Rusia ka rrënjë të përbashkëta historike sllave ortodokse.

Mandej befas ai e vizitoi edhe Kosovën. Garda ruse e nderit e priti me nderime të larta në Aeroportin e Prishtinës e më pas vizitoi bazën ushtarake ruse jo larg tij, në Vrellë ku ishin të vendosur rreth 3000 ushtarë. Duke folur para mediave, ai kundërshtoi kornizën kushtetuese dhe institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, edhe pse ato u krijuan dhe buronin nga Rezoluta 1244. Kjo rezolutë ishte negociuar me Rusinë dhe votuar nga ajo në Këshillë të Sigurimit. Natyrisht, as një fjalë për atë se çfarë kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës, spastrimet etnike dhe krimet masive të regjimit serb. Putini gjatë kësaj kohe kishte qenë udhëheqës i FSB, vazhdues të KGB, dhe natyrisht që e dinte nga dora e parë se çfarë krime çnjerëzore kishte bërë Serbia.

Por duke ardhur nga kundërspiunazhi, ai e njihet mënyrën sesi ta formësonte temën dhe sesi ta shpallte mendimin mashtrues: sulmi mbi Jugosllavinë po ndodhte për shkak të interesave të NATO-së që të zgjerohet në Evropën Juglindore. Fjala krizë humanitare nuk do të ekzistoj asnjëherë në fjalorin politik të tij apo të Rusisë për të përshkruar Kosovën në kohë lufte.

Gjeopolitika etnike

Vëmendja e Vladirim Putinit ishte tek serbët në Kosovë, shtypja kinse e shqiptarëve ndaj tyre dhe shkatërrimi i kishave ortodokse serbe.  Këtu dhe në raport me serbët në Kosovë, ai filloi ta promovojë brandin e tij, të njohur si gjeopolitika etnike. Putin gjatë kësaj kohe, shpesh ka folur për serbët në Kosovë dhe në Bosnjë, duke mos e fshehur pritjen e tij – ata nuk ishin pakica serbe por instrumente të politikes ruse në Ballkan. Veriu i Kosovës do bëhet një zonë e pelegrinazhit gjeopolitik rus për dy dekada: nga “konvojet humanitare”, prania studentore, media, personel rus në organizatat ndërkombëtare dhe qytetarë privat. Gjeopolitika etnike si element i doktrinës se tij, do të shihet ndërkohë dhe kudo – nga Ballkani, Evropa Lindore e deri tek shtetet e Baltikut. Natyrisht në kontekst të popullatës ruse në këto vendet e fundit, interesi dhe intensiteti i angazhimit rus ishte i përmasave tjera.

Paraardhësi i tij, Boris Jeltsin respektoi integritetin territorial dhe sovranitetin e ish-republikave sovjetike. Si rrjedhojë, shpërbërja sovjetike që paqësore dhe jo e dhunshme sikurse ishte ajo jugosllave. Putin e ka bërë deri më tash të kundërtën, përmes përdorimit të forcës ushtarake apo edhe luftës hibride. Me instrumente të shumëllojta politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore ka ndërhyrë në disa vende dhe me çdo mjet. Qëllimi është po ashtu krijimi i rrethanave jostabile të brendshme duke kërcënuar sigurinë e një vendi të caktuar përmes pranisë ushtarake, paraushtarake apo varësisë politike dhe ekonomike, si pjesë e doktrinës së Putinizmit. Kështu e ka futur fillin e një bote të pasigurtë jo vetëm në Evropën Lindore, por më gjerë dhe është shndërruar një zëdhënës maniak, që Evropa nuk e ka parë pas vitit 1945.

Ruajtja e status-qous

Një karakteristikë e Putinizmit është ruajtja e status qous dhe moskokëçarja se si një vend qeveriset. Çfarë  janë vlerat e sistemit politik dhe në cilat parime është ndërtuar ai, nuk paraqet ndonjë shqetësim. Trupat ruse u tërhoqën nga Kosova me 2003, por Rusia do të mbetet e përfshirë me tutje në administratën e UNMIK-ut, dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjatë kohës kur Kosova po përmbushte standardet e mirëfillta, të vendosur nga OKB dhe UNMIK, Rusia angazhohej të përmbyste kudo publikisht realitetin e Kosovës.  Putinit nuk i interesonte ta gjente të vërteten, por që ta shpallte atë. Ai përdori çdo mekanizëm për të përhapur akuza të rreme ndaj Kosovës, diversion të ndryshëm diplomatik e deri tek propaganda agresive globalisht kundër Kosovës. Ishte kjo koha, kur po fillonte përcaktimi i statusit final të Kosovës.

Mbajtja Kosovës në një gjendje të papërcaktuar politike dhe në pafundësi ishte qëllimi rus. Status qou është ajo që Putin e preferon jo vetëm ne lidhje me Kosovën por kudo tjetër. Atë do ta propagandoj personalisht në lidhje me zgjerimin e NATO-së në Evropën Qendrore dhe Juglindore në vitet 2004 dhe 2009. Të njëjtën qasje, do ta ndjekë në raport me zgjerimin e BE-së në Ballkan. Mirëpo, kulmi i përdorimit të magjisë se prishjes së rendit të brendshëm politik dhe prodhimin e situatave të dhunshme ishte në këto vitet e fundit kur Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po trokisnin ne derën e NATO-së për anëtarësim.     

Cilat janë argumentet qe përdor Putini në qëndrimet e tij për Kosovën? Ato që vërehen me vonë edhe te vendet tjera? Ne vitet para pavarësisë, ai do të flas për entitetin Kosove si një vend i dështuar. Kur Kosova përmbushi standardet para statusit, të konfirmuar nga KS i OKB-së, ku Rusia është anëtar i përhershëm, Putin, ishte i vetëdijshëm që kjo mund të qonte tek sovraniteti gradual i merituar. Ai e përhapi pamjen më të errët për Kosovën në shtypin ndërkombëtar sikurse vendi të ishte buzë kolapsit. Sa më shpejtë vazhdonin negociatat nën udhëheqjen e OKB-se për të ardhmen e Kosovës, aq me apokaliptike do të jetë vizioni i tij për Kosovën.  Një narracion të tillë të përdorur nga Putin do ta gjejmë para luftës me Gjeorgjinë me 2008, apo para dhe pas aneksimit të Krimes 2014 dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën Lindore. Këtu do të përdorte trillimin dhe truket e njëjtë, të cilin rusët e kishin përdorur për  Kosovën në çdo institucion ndërkombëtar. Perëndimi po synon që të imponoj standarde demokratike në Evropën Lindore dhe ato nuk kanë të bëjnë as me traditën dhe as me kulturën e popujve të ndryshëm. Synohej të krijohej përshtypja se në vend të lirisë dhe demokracisë, në shumë vende ku ndërhynë perëndimoret, të kishte kaos dhe dhunë. Putini akuzon evropianët se “pranverën arabe” pas 2011 do ta shndërrojnë në “dimër arab”. Të gjitha këto qëndrime të Putinit janë trillime dhe një diskurs mashtrues që nuk kishin të bëjnë fare me realitetin.