Presidenti legjendar i FC Prishtina, Remzi Ejupi, mbrëmë e përjetoi njërin prej gëzimeve më të mëdha të jetës.
Fitorja e Kombëtares së Kosovës në Sllovaki i solli atij ndjenja mjaft pozitive, por edhe kujtime.

Presidenti më i suksesshëm në futbollin kosovar u kthye prapa në kohë, duke e kujtuar mundin, sakrificat dhe zullumin që e kanë përjetuar gjeneratat e kaluara, e më saktësisht prindërit e futbollistëve të Kosovës që po na bëjnë krenarë sot.
Sipas tij, kjo është një gjeneratë e zullumit pasi prindërit e tyre kanë vuajtur shumë, ndërsa tash po i japin tokës së tyre “diamantë” të vërtetë, shkruan “Gazeta Express”.
Ejupi, i cili ka kontribuar shumë për futbollin kosovar, i ka përgëzuar mërgimtarët që dolën në Evropë në kohërat e vështira për t’i ikur represionit dhe situatës së keqe, që ua kanë treguar bijve të tyre historinë e dhimbshme dhe të trishtë të Kosovës.

E që tash, djemtë e artë, po e shohin futbollin më shumë se një sport, për t’i treguar botës se sa shumë vlejmë si popull dhe se sa të shtypur e të izoluar ishim.
Ejupi, i cili është njëri prej më meritorëve që është vënë në jetë Ligji i Sponsorizimit në vendin ton, uron që Kosova të fitojë të martën edhe ndaj Turqisë dhe ta kompletojë misionin duke e prerë biletën për Botëror, duke insistuar se kjo mundësi s’duhet të lëshohet, sikur ajo me Maqedoninë e Veriut, kur ishim shumë afër kualifikimit.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e Remzi Ejupit