Gjenerali amerikan i NATO’s thotë se tërheqja e trupave amerikane nga Europa do të zgjasë me vite - Gazeta Express
string(96) "gjenerali-amerikan-i-natos-thote-se-terheqja-e-trupave-amerikane-nga-europa-do-te-zgjase-me-vite"

Lajme

Gazeta Express

20/05/2026 10:40

Gjenerali amerikan i NATO’s thotë se tërheqja e trupave amerikane nga Europa do të zgjasë me vite

Lajme

Gazeta Express

20/05/2026 10:40

Shtetet e Bashkuara do të tërheqin më shumë trupa nga Europa, por ky proces do të zgjasë me vite për t’u dhënë aleatëve kohë të zhvillojnë kapacitetet e nevojshme për t’i zëvendësuar ato, tha të martën komandanti më i lartë i NATO-s.

Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus Grynkewich, foli pas vendimeve të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr rreth 5 mijë trupa nga Gjermania dhe për të anuluar dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarët europianë u befasuan nga koha e njoftimit për tërheqjen e trupave, si dhe nga lidhja që zyrtarët amerikanë i bënë këtij vendimi me kritikat e kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj strategjisë amerikane në luftën me Iranin.

Duke folur para gazetarëve pas një takimi të shefave ushtarakë të NATO-s në Bruksel, Grynkewich tha se kjo ishte e vetmja lëvizje e tillë për të cilën kishte dijeni “në afat të shkurtër” dhe se nuk do të ndikonte në aftësinë e aleancës për të zbatuar planet e saj mbrojtëse.

Qeveritë europiane thonë se i kanë marrë seriozisht thirrjet e Trumpit për të shpenzuar më shumë në mbrojtje dhe për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit. Megjithatë, ato frikësohen se një tërheqje e shpejtë e trupave dhe armëve amerikane mund ta lërë Europën të cenueshme ndaj një sulmi ushtarak nga Rusia, edhe pse Moska mohon se ka ndonjë qëllim të tillë.

Tërheqja do të zgjasë me vite

Grynkewich tha se do të ketë tërheqje të tjera të trupave amerikane nga Europa, ku aktualisht ndodhen rreth 80 mijë ushtarë amerikanë, por kjo do të ndodhë gradualisht, ndërsa forcat europiane forcohen për të mbushur boshllëkun.

“Ndërsa shtylla europiane e aleancës bëhet më e fortë, kjo i mundëson SHBA-së të reduktojë praninë e saj në Europë dhe të kufizohet vetëm në ofrimin e atyre kapaciteteve kritike që aleatët ende nuk mund t’i sigurojnë vetë”, tha Grynkewich, komandant suprem i forcave aleate të NATO-s.

“Nuk mund t’ju jap një afat të saktë kohor; do të jetë një proces i vazhdueshëm për disa vite”, shtoi ai.

Ai theksoi se, edhe pse Europa do të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, kjo do të ndodhë “me mbështetje të vazhdueshme kritike nga kapacitetet amerikane, të cilat po përshtaten”.

Sipas zyrtarëve dhe analistëve, NATO mbështetet te SHBA-ja për një sërë kapacitetesh kyçe, si sistemet e komandës dhe kontrollit, inteligjenca dhe komunikimet satelitore, bombarduesit strategjikë dhe mburoja bërthamore amerikane.

Advertisement
Advertisement
Advertisement