12 vite pas aksidentit të rëndë ndërkohë që bënte ski, legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, vazhdon të qëndrojë larg syrit të publikut, ndërsa detajet mbi gjendjen e tij shëndetësore mbeten të pakta.
Së fundmi, një përditësim i rrallë ka ardhur nga ish-shefi i tij te Benetton, Flavio Briatore, i cili ka ndarë kujtime emocionale dhe vlerësime për pilotin ikonik.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Briatore tha se vazhdon të flasë shpesh me familjen Schumacher dhe pranoi se Michael është ende i detyruar të qëndrojë në shtrat.
“Nëse i mbyll sytë, e shoh duke buzëqeshur pas një fitoreje. Preferoj ta kujtoj kështu,” – u shpreh ai.
Deklarata e tij përforcon atë që është pohuar më parë nga burime pranë familjes. Ish-bashkëshortja e Briatore-s, Elisabetta Gregoraci, ka thënë më herët se Schumacher “nuk flet, por komunikon me sy”, ndërsa djali i tij, Mick Schumacher, ka pranuar në një dokumentar të Netflix se komunikimi mes tyre ka ndryshuar pas aksidentit.
Pavarësisht sfidave, familja e Schumacher ka dhënë shenja të vogla jete publike. Në muajin prill, Schumacher nënshkroi një përkrenare të ikonës së F1 Sir Jackie Stewart, për një nismë bamirësie – një veprim që u përshkrua si “emocional” nga ish-shoku i skuadrës, Johnny Herbert, përcjell top channel.
Michael Schumacher mbetet një nga pilotët më të mëdhenj në historinë e Formula 1, me 7 tituj botërorë, 155 podiume dhe 71 xhiro më të shpejta gjatë një karriere brilante.
Kur u pyet për pilotin më të mirë të të gjitha kohërave, Briatore përmendi emra të mëdhenj si Schumacher, Senna dhe Alonso, por theksoi se sot “numri një është padyshim Max Verstappen”.
aaaaa