Drejtori i Juventus-it, Cristiano Giuntoli, ka lënë të kuptohet për “lajme pozitive gjatë javës së ardhshme” lidhur me Ronald Araujo dhe Randal Kolo Muani, ndërkohë që Teun Koopmeiners mban shiritin e kapitenit në derbin kundër Torinos.
Pavarësisht rëndësisë së Derby della Mole, intervista e Giuntoli-t me DAZN u përqendrua kryesisht te afati i transferëve.
“Strategjia është të forcojmë skuadrën në mbrojtje dhe të shqyrtojmë nëse ka ndonjë mundësi në zona të tjera të ekipit,” tha Giuntoli.
“Duhet të respektojmë shumë parametra të ndryshëm, si ekonomikë ashtu edhe teknikë, dhe është e vështirë të marrësh lojtarë të mëdhenj në janar, kështu që duhet të kemi durim.”
Mbrojtës me përvojë në Serie A?
Kur u pyet nëse do të ishte më mirë të kërkonin një mbrojtës që tashmë njeh futbollin italian, Giuntoli pranoi që një opsion i tillë mund të ishte ideal.
“Në përgjithësi, mund të jetë më mirë të sjellim dikë që tashmë e njeh Serie A, por gjithashtu duhet të shqyrtojmë çfarë është e disponueshme dhe nuk ka shumë alternativa në Itali.”
Araujo dhe Kolo Muani
Giuntoli u pyet drejtpërdrejt për mbrojtësin e Barcelonës, Ronald Araujo, dhe sulmuesin e Paris Saint-Germain, Randal Kolo Muani, por ishte i rezervuar në këtë rast.
“Këta janë dy lojtarë të mirë, por afati i transferimeve sapo është hapur dhe shpresojmë të kemi lajme pozitive gjatë javës së ardhshme.”
Koopmeiners kapiten dhe sfidat aktuale të Juventus-it
Në mungesë të Danilo-s, i cili po negocion ndërprerjen e kontratës me pëlqim të dyanshëm, shiriti i kapitenit për derbin i është dhënë Teun Koopmeiners, një zgjedhje e diskutueshme duke pasur parasysh që ai iu bashkua klubit vetëm gjatë verës.
Juventus-i aktualisht po përballet me kritika për formën e dobët kohëve të fundit, duke grumbulluar vetëm katër barazime dhe një fitore kundër Monza-s së vendit të fundit – në pesë ndeshjet e fundit të Serie A. Për më tepër, humbja 2-1 ndaj Milan-it në gjysmëfinalen e Superkupës në Riad ka shtuar presionin mbi klubin.
“Juve është gjithmonë nën vëmendje dhe çdo muaj duket vendimtar. Jemi të vetëdijshëm që kemi nisur nga e para me një skuadër të re, duke ndjekur një rrugë të virtytshme ekonomike, por besojmë se së shpejti mund të jemi konkurrues”, përfundoi Giuntoli. /GazetaExpress/