Eksperienca amerikane e Olivier Giroud është mbyllur tashmë.
Los Angeles FC ka njoftuar zyrtarisht për ndarjen me sulmuesin francez, i cili mbrëmë e zhvilloi ndeshjen e fundit me “Black & Gold” në humbjen 0:1 nga Vancouver Whitecaps.
Një epilog i hidhur për kampionin e botës 2018, i cili vjen nga një eksperiencë jo fort brilante në MLS dhe në Botërorin e Klubeve, me një bilanc të përgjithshëm prej 5 golash e 3 asistimesh në 37 ndeshje, shkruan “Gazeta Express”.
I transferuar në Los Angeles në vitin 2024, Giroud nuk ka arritur kurrë të përshtatej me sistemin e lojës së trajnerit Steve Cherundolo.
Pas humbjes, përmes konferencës për shtyp, Giroud e konfirmoi sfidën e re.
“Kur më erdhi mundësia për t’u kthyer në Francë, nuk kam menduar dy herë. Lille i kënaqi pritshmëritë e mia dhe të familjes sime. Dua të jem i dobishëm si lider, brenda dhe jashtë fushës dhe jam entuziast me idenë që të luaj në Ligën e Evropës. Lille është një klub i madh”, deklaroi ish-sulmuesi i Arsenalit, Chelseat e Milanit.
Në Lille, ai do të jetë bashkëlojtar i Edon Zhegrovës, nëse ylli kosovar nuk largohet nga klubi francez.
Veterani i sulmit do ta zëvendësojë sulmuesin e larguar, Jonathan David.
Kontrata është njëvjeçare, por e parasheh një opsion për vitin e dytë.
Zyrtarizimi i transferimit do të bëhet shumë shpejt. /Gazeta Express