Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim Ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne.
Gjatë takimit, Gërvalla i uroi mirëseardhje ministrit irlandez dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për Kosovën, duke përfshirë përkrahjen për forcimin e institucioneve, integrimin evropian si dhe angazhimin e trupave irlandeze në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ajo theksoi rëndësinë e kontributit të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Kosovës, veçanërisht për mbështetjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
Në takim u diskutua edhe për nevojën e një qëndrimi të bashkërenduar brenda BE-së lidhur me politikën e zgjerimit, që u vlerësua si kyçe për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave demokratike në kontinent.
Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Kosovës për përafrim të plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe qëndrimin e palëkundur në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Në fund, ministrja falënderoi Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme dhe nënvizoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve është thelbësor për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe orientimin e saj të qartë drejt BE-së.