Ministria e Punëve të Jashtme, që vazhdon të udhëhiqet me kompetenca të kufizuara nga Donika Gërvalla, iu dha afat misioneve diplomatike të Kosovës që të hartojnë raportet me “informata të detajuara” mbi shpenzimet e presidentes Vjosa Osmani në udhëtimet e saj jashtë shtetit deri më 22 korrik. Gërvalla obligoi edhe përfaqësitë në vendet që Osmani nuk i kishte vizituar të tregojnë që shefja e shtetit s’ka shkuar.
Nga Presidenca e Kosovës thanë se një praktikë e tillë që ndoqi ish-partnerja e ish-bashkëpartiakja e Osmanit s’ka ndodhur në historinë e Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express ky institucion tha se ambasadorët në misionin e tyre kanë “punë më të rëndësishme” sesa të masin sa naftë harxhohet për presidenten Osmani dhe sa për ambasadën meqë përdorën veturat e njëjta.
“Një praktikë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Aq më pak kur ambasadorët tanë kanë punë shumë më të rëndësishme shtetërore sesa të masin se sa litra derivate brenda të njëjtës ditë mund të jenë shfrytëzuar nga Presidenca e sa nga vetë ambasada, duke e ditur se shfrytëzohen makinat e njëjta për qëllime zyrtare”.
Presidenca këmbëngul se është institucioni që përgjatë gjithë mandatit i ka publikuar shpenzimet dhe se “do ta mbrojë me krenari çdo punë e çdo angazhim ndërkombëtar, nëpërmjet të cilave Presidentja ka fuqizuar raportet e Kosovës me aleatët tanë”.
Presidenca tha se përmes këtyre metodave, Ministria e Jashtme po synon ta njollosë këtë institucion.
“Metodat e ulëta sikur këto që po i përdor MPJ-ja, me qëllim njollosjeje, do t’i luftojmë me çdo mjet ligjor në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e presidentes.
Për këtë çështje që u raportua në mediat kosovare, dje në konferencën për media u pyet edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila refuzoi të jepte komente politike përveçse tha se institucioni i saj është shumë transparent.
“Vërtet kjo është çështje teknike. Ju kisha lut t’i adresohuni stafit lidhur me të sepse nuk po i di detajet që i ngritët. Si parim i përgjithshëm – edhe pse nuk po i di detajet e kësaj që ju e përmendet – Presidenca ka qenë gjithnjë institucioni më transparent në vend. Kurrë asnjë gjë sa i përket publikimit të çdo shpenzimi, në gjithçka jemi transparentë dhe do ta mbrojmë me krenari çdo punë, çdo angazhim në interes të Republikës së Kosovës”.