Kryetarja e GUXO, Donika Gërvalla, ka njoftuar se pjesë e kësaj partie është bërë Fatos Geci, “ekonomisti nga Drenica”.
Gërvalla shton se Fatos Geci është djali i vëllait të madh nga “Shtatë Vëllezërit Geci”.
“Sot, në Partinë Guxo mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai po bashkohet me familjen tonë politike, duke pasur guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucionalist që e ka në asht, si pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga Shtatë Vëllezërit Geci.”
Gërvalla ka thënë se Geci është në përfundim të doktoraturës.
“Fatos (Halil) Geci është në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e ekonomisë në UP “Hasan Prishtina” si dhe përfitues i tri bursave ndërkombëtare të studimeve doktorale në Cote d’Azur University në Francë. Ai ka disa vjet përvojë profesionale në sektorin e financave, duke u angazhuar në çështje që lidhen me analizën ekonomike, menaxhimin financiar dhe politikat zhvillimore.”
“Duke trashëguar traditën, familja e Fatosit dha provimin më të madhërishëm. Fillimisht, në rezistencën civile, pas kësaj si bashkëluftëtarë të Adem Jasharit e luftëtarë deri në çlirimin e vendit dhe në përpjekjen e përhershme për shtetndërtimin e Kosovës, gjithmonë duke qenë mbështetës të institucioneve të Kushtetutës së Kaçanikut dhe të Presidentit Ibrahim Rugova. Nga sot, rrugën për Kosovën, Fatos Geci do ta bëjë bashkë me Partinë Guxo, trashëgimtaren e denjë dhe të vetme të Ibrahim Rugovës. Mirësevjen Fatos!”