Gërvalla e Gjuriq pjesë e Ministerialit, Spiropali nga Belfasti: Shqipëria e ka detyrim moral e strategji pajtimin rajonal - Gazeta Express
string(120) "gervalla-e-gjuriq-pjese-e-ministerialit-spiropali-nga-belfasti-shqiperia-e-ka-detyrim-moral-e-strategji-pajtimin-rajonal"

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 17:25

Gërvalla e Gjuriq pjesë e Ministerialit, Spiropali nga Belfasti: Shqipëria e ka detyrim moral e strategji pajtimin rajonal

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 17:25

Kryediplomatja e Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Belfast të Mbretërisë së Bashkuar në sesionin qendror të Ministerialit të Procesit të Berlinit ka thënë se Ballkani Perëndimor nuk është një barrë mbi supet e Europës, por “një fuqi e pashfrytëzuar që pret të zgjohet”.

Ajo tha se vendi i saj është dëshmia se ndryshimi i vërtetë nuk imponohet nga jashtë – “ai lind nga brenda, kur ka vizion, kur reformat janë të guximshme dhe kur besimi bëhet shtylla e çdo transformimi”.

Spiropali gjithashtu tha pajtimi rajonal për Shqipërinë është një strategji për paqe e përparim.

“Për Shqipërinë, pajtimi rajonal nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një detyrim moral dhe një strategji për paqe e përparim. Sepse pajtimi i vërtetë nuk shkruhet në letër, ai ndërtohet në zemra. Ai kërkon guxim për t’u përballur me hijet e së shkuarës, dhembshuri për të nderuar kujtesën e viktimave, e mbi të gjitha, vizion për të ndërtuar një të ardhme ku ndryshimet nuk ngjallin frikë, por frymëzojnë progres”.

Nga Kosova në këtë takim po merr pjesë ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla. Ndërkaq, nga Serbia po merr pjesë ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq./Express/