Gërdia - Gazeta Express
string(6) "gerdia"

Gazeta Express

29/01/2020 18:27

Gërdia

Gazeta Express

29/01/2020 18:27

Dy pyetje e përcaktojnë sot gjëndjen në Kosovë. Të parën e bëjnë politikanët : Në cilën karrike do të ulem unë? Të dytën e bëjnë qytetarët : Si të siguroj një vizë për të ikur nga Kosova?

Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Në novelën filozofike “Gërdia” të Sartrit ekziston një dialog midis personazhit kryesor të novelës, të riut Rokanten dhe një autodidakti, i dhënë me mish e me shpirt pas idealeve të mëdha morale dhe politike. Gjatë zhvillimit të këtij dialogu autodidakti i’a shpalos Rokantenit ëndërrat e tij politike. I flet me aq pasion për humanizmin, drejtësinë, barazinë, solidaritetin e dashurinë mes njerëzve, të cilat do të përmbushën përmes realizimit të utopisë politike. Në një moment ndalet dhe e pyet Rokantenin : E çfarë mendon ti për këto? Rokanteni i përgjigjet : Nuk mendoj asgjë. Vetëm po ndjej neveri!

Kjo përgjigje shpreh gjëndjen e njeriut, i cili ka zbuluar se prapa fjalëve e parullave të mëdha politike, nuk qëndron asgjë tjetër, përveçse interesat egoiste dhe jomorale të atyre që i përdorin ato.

Sot ne kemi ardhur në një situatë kur përgjigjja e Rokantenit është e vetmja përgjigjje serioze që mund të jepet në pyetjet për realitetin politik në vend.

Secili njeri, që ka një brengë minimale për fatet e këtij vendi, nuk mund t’i shpëtoj ndjenjës së gërdisë me politikanët e tij, që ngjajnë aq shumë me ata të pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912,  të cilëve, siç i përshkruante Fishta, u thahej gurmazi duke bërtitur “Rroftë Shqipnia!”, ndërsa gjithë kohën merreshin vetëm me rehatimin e punëve të tyre personale.

Fakti se Fishta duket aq aktual sot në përshkrimin e situatave politike, flet vetë se nuk kemi ecur shumë përpara në mënyrën se si bëjmë politikë, që nga koha e tij.

Tani është bërë gjysmë viti që Kosova nuk ka qeveri në kapacitet të plotë vendimmarrës dhe ekzekutiv.

Në një vend si Kosova, me probleme të mëdha në të gjitha fushat, e izoluar jashtë dhe e vetëbllokuar brenda, mungesa e qeverisë është e përafërt me dështimin e shtetit.

Po bëhen katër muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe partitë që dolën të parat nuk janë në gjëndje të bëjnë një marrëveshje për t’i dhënë vendit një qeveri të re, sepse nuk po arrijnë dot t’i ndajnë karriket e pushtetit. I kemi  parë dhe vazhdojmë t’i shohim se si gjithë kohën në negociatat e tyre kujdesen deri në përpikmëri që të mos u cenohet, siç thonë, “dinjiteti i subjekteve të tyre”, derisa nuk çajnë fare kokën që dinjiteti i shtetit ka rënë në fund të pusit.

I kemi  parë dhe vazhdojmë t’i shohim se si gjithë kohën kujdesen për fatin e këtij apo atij politikani, derisa nuk çajnë kokën për fatin e shtetit dhe qytetarëve qytetarëve të tij.

Si mund të shpjegohet kjo?

Nuk duhet shumë mund për ta gjetur përgjigjjen në këtë pyetje.

Kemi të bëjmë me fenomenin e korrupsionit moral, i cili është bërë mentalitet dominues në politikën kosovare.

Korrupsioni moral ndodh kur përmbysen parimet për të cilat krijohet dhe ekziston shteti, parimet që thonë se shteti është servis i interesit publik dhe nacional. Korrupsioni moral e shndërron shtetin në servis të interesave personale dhe grupore të politikës, ndërsa shoqërinë e në shoqëri të shansave për pakicën.

Sot ne kemi ardhur në një situatë kur ky korrupsion është normalizu, e normalizimi nënkupton shndërrimin e tij në një realitet të pranueshëm, të vetëkuptueshëm e të parezistueshëm. Për pasojë politika është shndërruar në një lloj aktiviteti ku të vetmet pyetje të rëndësishme janë pyetjet se “kush çka merr? dhe “kush në cilën karrike do të ulet?”  Ndërkaq, në anën tjetër, një pjesë dërmuese qytetarëve e shtrojnë një pyetje tjetër : Si të sigurojnë një vizë për të ikur në Perëndim?

Këto pyetje e definojnë më se miri gjëndjen aktuale në Kosovë. Raporti mes tyre është gërdia. Rokanteni që ndjen gërdi nga retorika e idealizmit politik të bashkëbiseduesit të tij, nuk dëshiron të takohet përsëri me të, ndërsa qytetarët e Kosovës që gërditën nga retorika e shpifur e politikanëve të saj, kërkojnë një vizë largimi për të mos i dëgjuar më ata. Kjo është gërdia nga patriotizmi fals, të cilin shkrimtari anglez Samuel Johnson e quante “strehë e fundit për maskarenjtë”.