Raportimet nga Italia të martën thonë se Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është tashmë në kontakte me Gennaro Gattuson, i cili tashmë po llogaritet si kandidati kryesor për të qenë në krye të kombëtares së Italisë, pas largimit të Luciano Spallettit.
Spalletti e konfirmoi të dielën se do të largohet nga pozita e kryetrajnerit të Italisë, pas ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Moldavisë, e cila u mbyll me shifrat 2-0 në të mirë të “Azzurëve” të hënën.
FIGC kishte shpresuar për ta emëruar Claudio Ranierin si zëvendësues i Spallettit, por 73-vjeçari e ka informuar federatën se nuk ndihet i gatshëm për ta marrë këtë detyrë, që do të thotë se ai do të vazhdojë te Roma si këshilltar.
Stefano Pioli, i cili po ashtu është lidhur me drejtimin e Italisë, tani duket se do t’i bashkohet Fiorentinas.
Tani, Gattuso është kandidati kryesor për pozitën e selektorit të kombëtares italiane, dhe FIGC janë në kontakte me ish-mesfushorin e Milanit, i cili po ashtu ka përvojë menaxheriale me klubin rossoner, por edhe me Pisan, Napolin, Valenican, Marseillen dhe Hajduk Splitin, raporton “Sky Sports Italia”.
Raportimet e fundit thonë se një numër i fituesve të Kupës së Botës të vitit 2006 po llogariten si kandidat për këtë pozitë, duke përfshirë këtu Daniele De Rossin dhe Fabio Cannavaron, derisa edhe një rikthim i Roberto Mancinit nuk është lënë pas dore./GazetaExpress/