Gazmend Krasniqi: Fiksioni - Gazeta Express
string(25) "gazmend-krasniqi-fiksioni"

Gazmend Krasniqi: Fiksioni

Arte

Gazeta Express

25/09/2023 14:32

Në veprat postmoderniste, shpesh, s`ka as fiksion e as realitet, por vetëm hiper-realitet. Paraqitja që nuk e paraqet realitetin, por e modelon atë, çon te estetika e simulakrës, mungesa e realitetit bazë, e teorizuar nga Baudrillarde-i. Ajo gjen mbështetje te marrëdhënia me stilet, diskurset dhe semiotikat e gjuhëve të ndryshme të kulturës. Ky është simulakrumi, shkatërrimi përfundimtar i kuptimit. Në këtë mënyrë, krejt pandërgjegjshëm, historia dhe fiksioni ndryshojnë vendet: historia bëhet fiksionale, fiksioni bëhet historia e vërtetë. Aristoteli (babai i mimesit) e pati kuptuar se forca e artit na mundëson zgjedhjen atje ku jeta na e privon atë. Me një lëvizje si kjo humbet bota reale (Postmodernizmi do të shtonte pyetjen: në raport me çfarë?!), por është e mundshme të fitohet një tekst, i cili në kohën tonë karakterizohet nga forca përmbysëse ndaj klasifikimeve të vjetra. Ai është një proces demonstrimi, i cili flet sipas rregullash të caktuara (ose kundër rregullash të caktuara), si dhe mbahet në gjuhë, vetëm në lëvizjen e një ligjërimi. Në krahasim me lëndën e planit të dytë (e cila është në kujtesën dhe edukimin e lexuesit) një poet që rropatet për mbijetesë – lënda e planit të parë (histori apokrife, të cilat e shohin përmbajtjen e kujtimit historik duke e riinterpretuar dhe, përgjithësisht, duke e demistifikuar versionin e parë ortodoks) mëton të ngrihet si një seriozitet i ri, si një autenticitet i ri, të cilët zëvendësojnë seriozitetin dhe autenticitetin e prerë mimetik (imitues). Bashkë me Roland Barthes-in, estetin e mirënjohur francez, por edhe me narratorin, do të thoshim: Gjuha nuk është ngarkuar të shprehë kohën. Roli i saj është të shpjerë realitetin në një pikë dhe, nga shumësia e kohëve të jetuara dhe të mbishtresuara, të abstragojë një akt verbal të pastër. Gjatë këtij procesi, me paaftësinë e afirmimit të ekzistencës së një shembulli narrativ (gjithë ato prerje dhe fshirje), autorit postmodernist i mbetet të ringjallë ironinë romantike ose, siç përdoret më shumë sot, metafiksionin. Ky mjet, i përdorur herë pas here, atij shërben për t’i thënë lexuesit: Je në një fiksion!/Hejza