Gazetarja e CNN refuzon ta vendos shaminë, Presidenti i Iranit tërhiqet nga intervista - Gazeta Express
string(85) "gazetarja-e-cnn-refuzon-ta-vendos-shamine-presidenti-i-iranit-terhiqet-nga-intervista"

Gazetarja e CNN refuzon ta vendos shaminë, Presidenti i Iranit tërhiqet nga intervista

Gazeta Express

22/09/2022 22:54

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, është tërhequr nga një intervistë e planifikuar prej kohësh me gazetaren e CNN, Christiane Amanpour në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të mërkurën.

Kjo, sipas mediave të huaja erdhi pasi gazetarja refuzoi kërkesën e minutës së fundit “për të mbajtur një shall në kokë”.

Lexo Edhe:

Rreth 40 minuta pasi intervista ishte planifikuar të fillonte dhe me Raisin e vonuar, një ndihmës i tha Amanpour se presidenti i kishte sugjeruar që të mbante “një shall në kokë”.

Dhe Amanpour ka treguar se ajo “refuzoi me mirësjellje”.

Amanpour, e cila është rritur në kryeqytetin iranian Teheran dhe flet rrjedhshëm farsi, tha se ajo mban një “shall” në kokë ndërsa raportonte në Iran për të respektuar ligjet dhe zakonet lokale, “përndryshe nuk do të mund të vepronit si gazetare”.

Por ajo tha se nuk do të mbulonte kokën për të kryer një intervistë me një zyrtar iranian jashtë një vendi ku nuk kërkohet.

“Këtu në Nju Jork, apo kudo tjetër jashtë Iranit, nuk më është kërkuar kurrë nga asnjë president iranian – dhe unë kam intervistuar secilin prej tyre që nga viti 1995 – qoftë brenda apo jashtë Iranit, asnjëherë nuk më është kërkuar të mbaj shall në kokë”, ka deklaruar ajo në programin “New Day” të CNN të enjten.

Ligji iranian kërkon që të gjitha gratë të veshin mbulesë të kokës dhe veshje të lirshme në publik. Rregulli është zbatuar në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe është i detyrueshëm për çdo grua në vend – duke përfshirë turistët, figurat politike që vizitojnë dhe gazetarët.

Ndryshe, protestat antiqeveritare shpërthyen në të gjithë Iranin javën e kaluar për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini ndërsa ishte në paraburgim, pasi u arrestua nga policia morale e Iranit me akuzën për shkelje të ligjit për shamitë e kokës.

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë, me disa gra që kanë prerë flokët dhe djegur hixhabet në shenjë proteste kundër ligjit.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar se të paktën tetë persona janë vrarë në demonstratat, të cilat janë pritur me një goditje të ashpër nga autoritetet, sipas dëshmitarëve dhe videove të shpërndara në mediat sociale