“Gazetaria pa frikë dhe favore” në kohën e pandemisë dhe krizës politike në Kosovë - Gazeta Express
string(80) "gazetaria-pa-frike-dhe-favore-ne-kohen-e-pandemise-dhe-krizes-politike-ne-kosove"

“Gazetaria pa frikë dhe favore” në kohën e pandemisë dhe krizës politike në Kosovë

Gazeta Express

03/05/2020 10:50

Sot kur po shënohet 3 Maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, është pikërisht të bërit gazetari “pa frikë dhe pa favore”, tema bosht, e përcaktuar nga UNESCO, që do të diskutohet në nivel global.

Shkruan: Blerta Aliu*

Lexo Edhe:

Pandemia Covid-19, përveç stafit mjekësor vendosi edhe gazetarët në vijën e parë të frontit në tërë botën. Një gjë e tillë edhe njëherë ktheu në vëmendje që gazetaria bënë pjesë në kategorinë e profesioneve të pandalshme dhe esenciale për shoqërinë. Sot kur po shënohet 3 Maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, është pikërisht të bërit gazetari “pa frikë dhe pa favore”, tema bosht, e përcaktuar nga UNESCO, që do të diskutohet në nivel global.

Për koincidencë media sot në Kosovë, përveç se duhet “të mposhtë” frikën ndaj virusit duke luftuar lajmet e rreme, duhet të ju bëjë ballë edhe frikësimeve, kërcënimeve e sulmeve që janë shpeshtuar ndaj tyre gjatë raportimeve për pandeminë. Gjithashtu gazetarët po përballen me mosgarantim të kushteve elementare të punës, duke rrezikuar çdo ditë shëndetin e tyre në terren, gjatë raportimit për këtë sëmundje. Por mbi të gjitha krahas pandemisë shëndetësore vendi po përballet edhe me krizë politike e përcjellë me shumë polemika, linçime, e tensione në sferën publike, të cilat nuk lanë pa i prekur edhe vetë mediat e gazetarët.

Që nga mesi i marsit, kur filluan të paraqiteshin rastet e para të të infektuarve me Covid-19, virus ky që prodhoi edhe krizën politike në vend (duke lënë qeverinë në detyrë, pas votimit nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj saj) e deri më sot, sipas raportimeve publike në media, janë shtatë raste të sulmeve fizike, kërcënimeve dhe linçimeve ndaj gazetarëve. Nga këto raste kanë pësuar 10 gazetarë dhe punonjës të mediave. Dy prej tyre janë kërcënuar nga dy herë brenda një muaji.

Arsyet e sulmeve fizike, kërcënimeve por dhe linçimeve lidheshin kryesisht me zhvillimet politike dhe shëndetësore në vend dhe ishin realizuar ndaj gazetarëve, përderisa ata po ushtronin profesionin e tyre, apo për çështje që kishin të bënin me punën e tyre.

Gazetaria përballë Infodemisë

Të mbyllur në shtëpi, pasqyrimin e situatës dhe detajet e përhapjes së kësaj sëmundje secili po i merr nga mediat. Por, jo gjithçka që është lexuar përgjatë kësaj kohe ka pasur vërtetësi, korrektësi e profesionalizëm.

Në fillim të marsit situata informative ishte kaotike. Në mungesë të informacioneve zyrtare e profesionale, përhapja e lajmeve të rreme dhe rekomandimeve të pabaza, bënë që të rritet ankthi dhe të përhapej panik gjithandej nëpër botë. Përderisa, në shtetet perëndimore u zbrazën stoqet e letrave të tualetit, në Kosovë u zbrazën raftet e miellit. Ishte e kotë, mbase edhe e vonshme thirrja e institucioneve që të mos siguroheshin rezerva të tepërta ushqimore, pasi që vendi nuk do të kishte probleme me furnizim me produkte ushqimore.

Vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), deklaroi se dezinformatat që po përhapeshin lidhur me Covid-19, të cilat i emërtuan si “Infodemi”, janë të rrezikshme dhe se po përhapen më shpejtë dhe më lehtë se vetë pandemia.

Të gjitha këto zhvillime globale nuk lanë pa e prekur edhe audiencën kosovare. Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë deklaruar publikisht se janë rreth 1 mijë e 500 lajme të rreme që kanë qarkulluar në Kosovë, që nga shfaqja e rasteve të para me Covid-19.

”Koronavirusi është mashtrim. Masonët duan të kontrollojnë botën”, “Nano-çipat në trup për të ndaluar koronavirusin”, mesazhi i shpërndarë me mijëra herë- “Limoni dhe Soda bikarbon kura për virusin C19 nga Izraeli”, “Nga Wuhani vjen vaksina kundër koronavirusit, efikase te njeriu”, “Hapen shkollat në Prishtinë më 4 maj”, janë vetëm disa nga titujt e lajmeve, videove dhe mesazheve të rreme, të shpërndara në media e rrjete sociale gjatë javëve të fundit.

Tërë ky eskalim informativ i sfidoi mediat dhe gazetarët serioz. Ata krahas përpjekjeve për të sjellë informata zyrtare dhe për të pasqyruar me korrektësi gjendjen pandemike në Kosovë, po i kushtojnë vëmendje edhe demantimit të lajmeve të rreme.

Gjithashtu mediat kredibile po kontribuojnë në stabilizimin e situatës nga ‘fake news’ edhe përmes ekspozimit të vazhdueshëm në skenën mediale të profesionistëve shëndetësorë, të cilët me përgjegjësi të plotë, po këshillojnë dhe rekomandojnë qytetarët se si të mbrohen nga Koronavirusi.

Por, krahas krejt këtij angazhimi në këtë situatë të jashtëzakonshme, ata janë përballur edhe me sulme fizike dhe janë penguar gjatë kryerjes së detyrave të tyre pikërisht gjatë raportimeve për këtë virus.

Bazuar në njoftimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), vetëm në Mitrovicë të Veriut, tre gazetarë/punonjës të mediave janë sulmuar fizikisht gjatë raportimeve për pandeminë. Një tjetër është penguar e ndaluar për të kryer punën e vetë gjatë raportimeve për këtë sëmundje, përderisa ndodhi edhe një sulm fizik ndaj një gazetari, motivet e të cilit ende nuk dihen.

Pak është bërë edhe në ofrimin e kushteve adekuate për gazetarët, përderisa ata mbulojnë ngjarje, konferenca e adresime të ndryshme për media sidomos nga ana e përfaqësuesve institucional.

Edhe sot vazhdojnë të mos zbatohen  rekomandimet e OBSh-së për mbajtjen e distancës në shumicën e paraqitjeve publike të politikanëve dhe përfaqësuesve institucional. Këta të fundit duhet të garantojnë një ambient të sigurt në momentin kur dërgojnë ftesa tek mediat për t’i përcjellë adresimet e tyre publike.

Një sjellje e tillë është duke i vënë në rrezik të drejtë për drejt gazetarët.

Gazetarët përballë kërcënimeve dhe sulmeve të nxitura politikisht

Ndonëse, ankthi pandemik po zbutet me uljen e rasteve të të infektuarve, kosovarët kanë edhe një temë të nxehtë në ekranet e televizioneve dhe ‘smartphone-ve’ që po ju sjell po kaq tension e që lidhet me zhvillimet politike.

Këtij tensioni po duhet t’i bëjnë ballë edhe gazetarët të cilët janë bërë cak i sulmeve, kërcënimeve, linçimeve dhe fyerjeve nga grupe të ndryshme qytetarësh, aktivistësh politik e përfaqësuesish të subjekteve politike që kryesisht po realizohen nëpërmjet rrjeteve sociale.

Në kontekst të zhvillimeve politike, bazuar në reagimet e AGK-së, janë gjashtë gazetarë që janë linçuar apo kërcënuar nga persona të ndryshëm duke përfshi edhe përfaqësues të subjekteve politike. Gjithashtu reagime ka pasur edhe për një tentim sulm ndaj një gazetari.

Ndonëse, ka pasur reagime dhe dënime të këtyre akteve të shëmtuara nga institucionet dhe klasa politike, në shumicën prej këtyre rasteve nuk është vërejtur apo raportuar për ndërmarrje të veprimeve konkrete nga ana e institucioneve të rendit.

Të nxitur nga këto zhvillime, përfaqësues të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) patën theksuar javë më parë se disa politikanë në Kosovë dhe Serbi, po përdorin krizën e koronavirusit për të provokuar tensione politike dhe shoqërore në interes të tyre personal. “Ne u bëjmë thirrje gjithë gazetarëve të mos luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut”, pati thënë Ricardo Gutierres, sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së.

Marrë parasysh këto rrethana, ku mediat dhe gazetarët janë nën presion të vazhdueshëm duke u cenuar profesionalisht e individualisht, është qenësore të ruhet profesionalizmi e korrektësia në raportim.

Balancimi i argumenteve dhe burimeve, ofrimi i barabratë i hapësirës mediale për të gjithë përfaqësuesit politik dhe mos ofrimi i favoreve për asnjërën palë, vërtetimi i deklaratave që shpërndahen posaçërisht online dhe mbi të gjitha zbulimi dhe publikimi i së vërtetës, janë elemente bazike që duhet t’i përmbajë secili lajm e raport për të ruajtur paanësinë e cila duhet të jetë qenësore në këtë periudhë.

Kanosjet, linçimet e sulmet asessi nuk duhet t’i zbrapsin gazetarët nga puna profesionale dhe kërkimi i llogaridhënies institucionale.

Siç ishte shprehur dhe gazetarja dhe politikanja nigeriane, Christina Anyanwu, që ishte burgosur e akuzuar për tradhëti për shkak të raportimeve të saja “në momentin kur shtypi të demonizohet, dobësohet dhe e humbet kredibilitetin, atëherë mbeten më pak zëra të ngritur kundër shtypjes. Ka më pak shtysë për të kërkuar llogari për veprimet e qeverisë, ose insistim për transparencë edhe në drejtësi”.

*( Autorja është asistente në Degën e Gazetarisë, Universiteti i Prishtinës)