Gazetari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ruben Avxhiu, ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, duke thënë se ky i fundit ishte miku më i ngushtë i shqiptarëve në Kongresin Amerikan.
Avxhiu ka thënë edhe se, Engel do të mbetet i pavdekshëm në kujtesën e popullit shqiptar.
Postimi:
Eliot Engel ishte miku më i ngushtë i shqiptarëve në Kongresin Amerikan dhe në Washington, ku shërbeu 32 vjet me radhë.
Ai mbylli sytë sot përgjithmonë, por do të mbetet i pavdekshëm në kujtesën e popullit shqiptar.
Një ambasador i vërtetë i Kosovës në SHBA, ai kontribuoi si rrallëkush për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ishte një mbështetës i vendosur i demokracisë në Shqipëri dhe i të drejtave të shqiptarëve kudo që jetonin.
Ishte Anëtar krenar i Bordit të Nderit të gazetës “Illyria” dhe kishte miq të ngushtë në komunitetin shqiptaro-amerikan.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!