Gazetari serb Nikola Krstiq ka plasuar disa të vërteta për Serbinë, vendin ku ai jeton, duke shkruar një kolumne të fuqishme për një nga plagët më të errëta të së kaluarës së këtij vendi – dhunën seksuale sistematike gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, konkretisht në qytetin e Foçës.
Në fillim të shkrimit të tij të publikuar në Danas, ai kujton një protestë simbolike të mbajtur më 19 qershor, në Trg republike, ku aktiviste dhe aktivistë nga organizatat “Gratë në të zeza”, “Qendra e autonomisë së grave” dhe “Iniciativa e të rinjve dhe të drejtave të njeriut”, përmes heshtjes dhe veshjes në të zeza, përkujtuan gratë e dhunuara gjatë luftës. Me mbishkrime dhe harta në duar, ata përcollën një mesazh që, sipas Krstiqit, Serbia ende refuzon të përballet me të kaluarën e saj kriminale.
“Serbia, ashtu siç ishte gjatë viteve të nëntëdhjeta, fsheh në dollapin e saj shumë të këqija. Ajo ka derdhur nga vetja gjenocid, spastrim etnik, kampe përqendrimi, varreza masive dhe çfarë jo tjetër”
Serbia e viteve të nëntëdhjeta, sipas tij, fsheh në dollapët e saj shumë krime – gjenocid, spastrim etnik, kampe përqendrimi dhe varreza masive. Por ndër to, disa krime mbeten thuajse të padukshme për opinionin publik, ndër to – dhuna seksuale masive ndaj grave boshnjake në Foçë.
Foça, që në vitin 1992 ra në duart e ushtrisë së Republikës Serbe, sipas Krstiqit, u shndërrua në një vend ku sadizmi dhe mizoria morën trajta sistematike. Gratë dhe vajzat u përdhunuan masivisht, u mbajtën në robëri seksuale dhe u keqtrajtuan në objekte si shkolla, palestra sportive dhe shtëpi private.
“Njëra nga viktimat që më vonë dëshmoi para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dha një vlerësim të përafërt se gjatë gjithë periudhës së robërisë së saj, pra gjatë rreth 40 ditëve, ishte përdhunuar afërsisht 150 herë.”
Njëra prej viktimave, dëshmitare në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ka deklaruar se u përdhunua rreth 150 herë brenda 40 ditëve. Kjo është vetëm një nga qindra histori që rrëfejnë tmerret e organizuara të asaj periudhe.
Krstiq e ndërlidh këtë dhunë jo vetëm me urdhrat ushtarakë, por me një kulturë nacionaliste dhe patriarkale që, sipas tij, mori hov nga krerët akademikë, religjiozë dhe politikë në Serbi. Ai shkruan:
“E gjithë kjo kishte themele në netët e lahutarëve, poetëve dhe akademikëve, që nga momenti kur Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, nisën projektin për ‘zgjidhjen’ e mbijetesës serbe në këto troje.”
Ai thekson se në Serbi ende mungon një përballje reale me të kaluarën. Edhe pse shumë nga autorët e këtyre krimeve janë dënuar, ndër ta Dragoljub Kunarac, Radomir Kovaq dhe Zoran Vukoviq – Foça mbetet si një njollë e errët që rrallë përmendet në publik.
“Foça mbetet si një shenjë e padukshme e luftërave të nëntëdhjetave. Një pikë ku u lidhën ideologjia e Serbisë së Madhe, sadizmi patriarkal dhe shfrytëzimi kriminal i luftës.”
Në këtë pikë, Krstiq ngre një pyetje themelore për shoqërinë serbe: A do ta njohë ndonjëherë shteti i tij juridikisht dhunën seksuale gjatë luftës si krim lufte? Apo gjithçka do mbetet një ëndërr e keqe, një kujtim që era e historisë do ta shpërndajë ngadalë?