Deputeti serb Dragan Gjilas, një nga figurat kryesore opozitare në Serbi, ka kritikuar vendin e tij se po shkon në kah të kundërt me atë të Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit të BE-së.
“Mali i Zi po hyn në Bashkimin Europian…Edhe europianët kanë filluar të thonë atë që ne nga SSP-ja e themi prej vitesh – Serbia nuk po përparon, nuk qëndron në vend në procesin e anëtarësimit. Serbia po shkon prapa. Në Serbi nuk kemi proces eurointegrimi, por kemi proces euroDEZintegrimi”, ka thënë deputeti serb, duke kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kësaj deklarate i ka reaguar gazetari gjerman i FAZ, Michael Martens, i cili kundërshtoi Gjilas rreth anëtarësimit të Malit të Zi, raporton Gazeta Express.
“Mali i Zi nuk po shkon askund. Edhe në BE nuk po futet. Do të shihni”, shkroi Martens, duke shpërndarë videon e Gjilas në X.
“Me të vërtetë, vetoja (plus numri i anëtarëve në Parlamentin e BE-së) duket vendimtare në rastin e Malit të Zi. Jo paratë. Madhësia nuk ka rëndësi. Por vetoja është veto”, shkroi ai.
“Sipas asaj që dëgjoj, ka një ndryshim të madh midis deklaratave të fundit të kancelarit Merz dhe disponimit brenda partisë së tij, sidomos kur merret parasysh rritja e AfD-së anti-BE. E mos ta përmendim Parisin. Një alternativë mund të jetë e mundur. Por anëtarësimi i plotë? Pothuajse jo”, shtoi më tej Martnes.
Ai përmendi edhe buxhetin e planifikuar të BE-së, në të cilin thotë se s’ka para të ndara për shtete të reja anëtare.
“Planet (për momentin) për buxhetin e BE-së 2028–34 nuk përfshijnë asnjë fond për shtetet e reja anëtare. Zero. Disa thonë se kjo mund të ndryshohet kur të vijë koha. Por a do të ndodhë kjo? PS: Është folur për një “momentum të ri” që nga shkurti 2022. Do të doja ta besoja. Por…”, tha ai.
Discussed this with Anton Honfreiter a while ago and will meet him again early in 2026 to discuss it further. Indeed, the veto (+ the number of members in the EU parliament) seems crucial in the case of Montenegro. Not money. Size does not matter. But a veto is a veto is a veto.
— Michael Martens (@Andric1961) December 18, 2025
Mali i Zi është vendi më progresist nga rajoni drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me mbylljen e disa kapitujve që kërkon Unioni për vendet kandidate. Vendi ka shfaqur ambiciet që të jetë anëtari më i ri i BE-së në gjysmën e dytë të 2027-ës kur në krye të Presidencës së Këshillit të BE-së do të jetë Greqia, një vend aleat i Malit të Zi.
Ditë më parë presidenti grek i kishte dhënë një zotim liderëve të Malit të Zi se vendi i tij do të bënte çmos që Mali i Zi t’ia dalë të anëtarësohet gjatë kësaj periudhe.