Gazetari britanik Vaugan Smith, i njohur për shkrepjet filmike që dokumentuan sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë rrëfimin e tij mbi ato ditë të errëta.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Smith ka treguar për momentet dramatike kur raportonte nga fronti i luftës, duke vënë në rrezik edhe jetën e tij.
“E dija se po ndodhte një sulm nga forcat serbe në një fshat, në Prekaz. Kur filluam të tërhiqemi, dëgjova një krismë të plotë të kallashnikovit mbi drejtimin tonë. Pastaj ndjeva se diçka më goditi në bark, por nuk mendova shumë për të sepse s’ndjeva dhimbje”, tha ai.
Smith tregon se arriti të largohej bashkë me ekipin deri tek automjeti që kishin. Megjithatë, në mendjen e tij mbizotëronte profesioni.
“Isha i kënaqur me incizimet që i kisha, sepse unë jam gazetar konkurrues”.
Ai ka zbuluar edhe vështirësitë për transmetimin televiziv të pamjeve të luftës në Kosovë në mediat ndërkombëtare.
“Ngjarje si në Prekaz nuk kam parë e vizituar deri tani. Kjo është dashur të bëhet me publicitet dhe raporti nuk do të kishte emrin e Adem Jasharit, sikur atëherë bota të mos kuptonte për këtë ngjarje. Bota komunikoi edhe përmes diasporës, nuk janë vetëm njerëz me maska, po ndodh krim e masakra”, tha ai.
Gazetari britanik ka kujtuar edhe momentin kur ekipi i tij filmoi viktimat në Skënderaj.
“I filmuam kufomat dhe i pamë që ishin afër 60 veta të vrarë. Pastaj doli fakti që dy familjarë ishin ekzekutuar dhe gjëra të tmerrshme u zbuluan”.
Smith e cilëson veten me fat që arriti të shpëtonte.
“Mendoj se unë isha me fat që të mos vritem nga plumbi. Ndoshta edhe ju keni qenë me fat, sepse i tërë rrëfimi ishte i rëndësishëm. E gjithë kjo rezultoi me lirinë e Kosovës, e cila erdhi si shkak i ndërhyrjes nga jashtë”, tha ai.
Vaughan Smith është themelues i agjencisë së pavarur “Frontline News TV”, e cila ka mbuluar disa nga konfliktet më të rënda në botë, si dhe i “Frontline Club” në Londër.
“The Guardian” e ka përshkruar Smith si “një ish-oficer ushtrie, gazetar aventurier dhe liberal i krahut të djathtë”.