Craig Hope ka raportuar një zhvillim të rëndësishëm lidhur me transferimin e mundshëm të sulmuesit të Newcastle, Alexander Isak, te Liverpool, në një kohë kur Luis Diaz është afër kalimit te Bayern Munich.
Isak është lidhur me një transferim te Liverpool gjatë gjithë verës, me trajnerin Arne Slot që raportohet të ketë bërë kërkime fillestare për disponueshmërinë e tij që në fillim të korrikut.
Situata mori një kthesë të madhe të enjten, kur The Athletic raportoi se sulmuesi suedez kishte kërkuar të largohej nga Newcastle. Ky lajm doli vetëm pak orë pasi Liverpool zyrtarizoi blerjen e sulmuesit Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt.
Tani, “The Reds” kanë shpenzuar mbi 200 milionë funte gjatë kësaj vere, megjithëse një pjesë e mirë e këtyre fondeve është kompensuar nga shitjet – përfshirë edhe largimin e Trent Alexander-Arnold drejt Real Madridit për 10 milionë funte.
Të dielën, BBC Sport raportoi se Bayern Munich kishte arritur marrëveshje me Liverpool për kartonin e Luis Diaz, për një shumë prej 65.5 milionë funte.
Ky zhvillim i jep Liverpool-it hapësirë financiare për të realizuar një marrëveshje të mundshme për Isak – por po ashtu i detyron të gjejnë një zëvendësues për Diaz.
Sipas ekspertit të futbollit nga verilindja e Anglisë, Craig Hope, i cili shkruan për Daily Mail, Newcastle tani janë “të përgatitur” për një ofertë zyrtare nga Liverpool për Isak.
Megjithatë, drejtuesit e Newcastle nuk duan të humbin lojtarët kryesorë, edhe pse, sipas Hope, brenda klubit ka mendime të ndara nëse duhet të negociohet apo të refuzohen të gjitha ofertat për sulmuesin.
Isak nuk është pjesë e turit parasezonal të Newcastle në Korenë e Jugut, me klubin që ka deklaruar se ai vuan nga një dëmtim i lehtë në kofshë.
25-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për asnjë ndeshje gjatë këtij kampi – çka shton spekulimet se ndoshta ai i ka luajtur ndeshjet e fundit me fanellën e Newcastle.
Isak shënoi 23 gola në Premier League sezonin e kaluar, një shifër që u tejkalua vetëm nga Mohamed Salah te Liverpool. Golashënuesi i dytë më i mirë i Newcastle ishte Harvey Barnes me vetëm 9 gola – duke treguar sesa i pazëvendësueshëm është Isak për skuadrën e Eddie Howe. /GazetaExpress/