Valeria Chomsky ka kërkuar ndjesë për faktin se bashkëshorti i saj 97-vjeçar, Noam Chomsky, i kishte dhënë këshilla tashmë të dënuarit Jeffrey Epstein se si të përballonte presionin nga mediat.
Bashkëshortja e gjuhëtarit, filozofit dhe aktivistit të njohur e cilësoi këtë si një “gabim serioz”, duke pranuar se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk e kishin hetuar mjaftueshëm të kaluarën e Epstein para se të fillonin komunikimin me të. Ajo shtoi se Epstein i kishte mashtruar.
Pas hapjes së dosjeve të Epstein nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, një nga figurat që po shqyrtohen për kontaktet me biznesmenin tashmë të ndjerë, të dënuar për krime seksuale, është edhe Noam Chomsky.
Momenti kur nisi komunikimi mes tyre është kyç. Ishte viti 2019, kur autoritetet amerikane akuzuan Epstein për trafikim njerëzor dhe ai iu drejtua Chomskyt për këshilla se si të reagonte.
“Kam vëzhguar mënyrën e tmerrshme se si ju trajtojnë nga shtypi dhe publiku. Është e dhimbshme ta them, por mendoj se mënyra më e mirë për të vazhduar përpara është t’i injoroni,” shkruante Chomsky në një mesazh me firmën “Noam”, të cilin Epstein e kishte shpërndarë me email tek një bashkëpunëtor i tij.
“Ajo që dëshirojnë me ngulm këta grabitqarë është një përgjigje publike, e cila më pas shërben si justifikim për një sulm me goditje helmuese, shumë prej të cilave vijnë thjesht nga njerëz që kërkojnë vëmendje ose nga lloj-lloj maniakësh,” shkruante më tej Chomsky.
“Kjo vlen veçanërisht tani, me histerinë që është zhvilluar rreth abuzimit ndaj grave, e cila ka arritur në atë pikë sa edhe vënia në dyshim e një akuze konsiderohet krim më i rëndë se vrasja,” shtonte filozofi i moshuar, duke iu referuar lëvizjes MeToo.
Noam Chomsky është një nga figurat e njohura për të cilat u zbulua se kishin ruajtur komunikim miqësor me Epstein edhe pas pranimit të fajësisë së tij në vitin 2008. /Panorama