Të paktën 14 palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, ka raportuar të hënën Ministria e Shëndetësisë.
“Spitalet regjistruan 14 vdekje të reja në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, përfshirë dy fëmijë që vdiqën nga uria”, tha ministria në një deklaratë.
Viktimat e reja e çuan numrin e të vdekurve nga uria në Gaza që nga tetori i vitit 2023 në 147, përfshirë 88 fëmijë.
Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gaza dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare, duke përkeqësuar kushtet humanitare në enklavë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60,000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Bombardimet kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë. /AA