Kombëtarja e Italisë po përpiqet të gjejë mënyra për t’u mbledhur para fushatës së tyre në “play-off” të Kupës së Botës në mars, dhe sipas raportimeve nga “Corriere dello Sport”, Gennaro Gattuso pritet të organizojë darka ekipore në tre qytete të ndryshme, në përpjekje për të kaluar pak kohë ballë për ballë me lojtarët e tij para marsit.
Kualifikimi i Italisë në “play-off” u konfirmua pas humbjes 4-1 ndaj Norvegjisë të dielën në mbrëmje.
“Azzurrët” e përfunduan Grupin I të kualifikimeve me 18 pikë nga tetë ndeshje, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur Norvegjinë, e cila u kualifikua me 100% fitore.
Humbja ndaj Norvegjisë ishte ndeshja e fundit e Italisë para gjysmëfinaleve të “play-offit” më 26 mars, dhe duke qenë se Gattuso do të ketë vetëm disa ditë kohë për të punuar me lojtarët në fillim të asaj pushimi ndërkombëtar, po diskutohen mënyra se si skuadra të mblidhet para asaj periudhe.
Ka patur sugjerime se Federata e Futbollit e Italisë (FIGC) madje mund të konsiderojë zhvendosjen e ndeshjeve të Serie A apo Coppa Italia për t’i ardhur në ndihmë kombëtares, por kjo mbetet pak e mundshme për arsye të ndryshme logjistike.
Tani, sipas raporteve të “Corriere dello Sport”, Gattuso planifikon të marrë skuadrën në një sërë darkash ekipore para pushimit të ardhshëm ndërkombëtar në mars.
Raportimi i së martës thotë se Gattuso do të organizojë mbledhje në tri qytete të ndryshme: një në Milano për lojtarët që bazohen në veri të Italisë, një në Romë për ata në qendër dhe jug, dhe një në Londër për ata që luajnë aktualisht në Premierligë./GazetaExpress/