Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se institucionet duhet të themelohen sa më shpejt dhe kuvendit duhet të zhbllokohet. Ai ka vlerësuar po ashtu se tanimë ‘‘nuk ka më asnjë dyshim’’ që Vetëvendosja ka plan për bllokim të institucioneve, shkruan Gazeta Express.
Deputeti i LDK’së ka thënë se kjo u pa edhe dje, pasi që VV-ja nisi ‘‘obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese’’, menjëherë pasi që u zgjodh kryetari i Kuvendit.
‘‘Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Gashi ka paralajmëruar edhe se vendi rrezikon kolaps institucional nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik.
Postimi:
Kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt!
Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm.
Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë.
Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.
Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës.
LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave. /GazetaExpress