Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i është përgjigjur deputetit nga radhët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, i cili tha se LDK-ja gjithmonë bëhet bashkë me PDK-në, raporton Express.
Gashi i tha Aliut se ata janë bërë bashkë edhe me Vetëvendosjen dhe se mund të bëhen bashkë edhe në të ardhmen.
“Jemi ba bashkë edhe me ju dhe ndoshta do të bëhemi bashkë edhe në të ardhmen. Në politikë koncepti kurrë nuk ekziston. Gjithçka është e mundshme. Ideja parashkollore se le te kallet vendi se ne s’bëhemi bashkë, s’ekziston te ne e nuk duhet të ekzistojë as te ju. Do t’i japim votat tona që qytetarët të marrin pakon fiskale”, ka thënë Gashi.
Ndryshe, Aliu ka akuzuar LDK-në dhe PDK-në se janë bërë sërish bashkë.
“Të dyja partitë janë të njëjta dhe të dyja janë bashkë. Kush cilën e ka bërë si vetën, LDK-ja e ka bërë si vetën apo PDK-ja si vetën nuk e dimë. Por me qenë se ka kalu kohë e gjatë duke qenë herë njona si tjetra e herë tjetra si njona, edhe origjina se kush kë e ka bë si vetën është e parëndësishme”, tha Aliu.
Ai shtoi se të dyja partitë po vazhdojnë t’i bëjnë dëm Kosovës.
“Ju mund të jeni bashkë edhe pak, ju mund të vazhdoni t’i bëni dëme këtij vendi bashkë edhe pak, qysh i keni bo në vazhdimësi. Ju u bonët bashkë për me rrëzu Qeverinë Kurti”, tha Aliu. /Gazeta Express