Pikërisht para ndeshjes së madhe të Kosovës, ylli i ri i kombëtares dardane, Dion Gallapeni e ka rigjetur formën e tij.
Mbrojtësi i majtë ka bërë një paraqitje të madhe sonte për skuadrën e tij, Wisla Plock, në fitoren ndaj ish-liderit të tabelës në elitën e futbollit polak, Jagiellonia. Ish-lider, pasi me humbjen nga skuadra e Gallapenit, Jagiellonia ra në pozitën e dytë, por me pikë të njëjta me Zaglebie në vendin e parë – me nga 41 sosh.
21-vjeçari bëri vetëm paraqitjen e tij të dytë sot për skuadrën e tij të re, ku është në huazim nga Widzew Lodz.
Ai asistoi në dy golat e shënuar nga skuadra e Wisla Plock, të cilat i shënuan në pjesën e parë.
Në fakt, tre golat u shënuan në 45-minutëshin e parë, pasi edhe Jagiellonia shënoi në minutën e 11-të, për të hapur serinë e golave.
Gallapeni asistoi fillimisht për golin e barazimit në minutën e 20-të, të cilin e shënoi Deni Juric.
I njëjti shënoi prapë, sërish nga një asistim i Gallapenit, në minutën e 33-të.
Me këtë fitore, Wisla Plock ngjitet në vendin e katërt në tabelë, me 39 pikë të tubuara. Vendi i katërt në Poloni të dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Ndërkohë, ish-skuadra e Gallapenit, Widzew Lodz rrezikon rëniën nga liga, pasi është e 17-ta me 28 pikë, dy pikë më pak se vendi i shpëtimit, i 15-ti.
Gallapeni u vlerësua me notën 7.5 nga “Flashscore”, për paraqitjen e sontme, teksa u zëvendësua në minutën e 70-të.
Mbrojtësi është pjesë e listës së kombëtares së Kosovës për ndeshjen e madhe ndaj Sllovakisë, e cila luhet në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” të Botërorit 2026. Në rast fitoreje, Kosova do të luante në finale ndaj fituesit të ndeshjes Turqi – Rumani, në “Fadil Vokrri”./GazetaExpress/