Gafa e parë në detyrë, Basha i fshin nga komunikata fjalët e Presidentes pasi e takoi – "gabimin" ia ngarkon stafit - Gazeta Express
string(110) "gafa-e-pare-ne-detyre-basha-i-fshin-nga-komunikata-fjalet-e-presidentes-pasi-e-takoi-gabimin-ia-ngarkon-stafit"

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 15:00

Gafa e parë në detyrë, Basha i fshin nga komunikata fjalët e Presidentes pasi e takoi – “gabimin” ia ngarkon stafit

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 15:00

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha pati sot një takim “konsultativ dhe njoftues” me presidenten Vjosa Osmani.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kuvendi, Basha dhe Osmani biseduan për “domosdoshmërinë që proceset kushtetuese dhe ligjore të ecin me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja sa më e shpejtë e Qeverisë së re të vendit”.

“Takimi është mbajtur pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku kryetari Basha e ka informuar Presidenten Osmani lidhur me përfundimin e seancës konstituive dhe bartësit institucionalë kanë diskituar për hapat e nevojshëm për t’u ndërmarrë më tej. Kryetari Basha dhe Presidentja Osmani kanë biseduar për domosdoshmërinë që proceset kushtetuese dhe ligjore të ecin me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja sa më e shpejtë e Qeverisë së re të vendit, si përgjegjësi e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatë.

Ajo u korrigjua më pas, me kryeparlamentarin e ri që në një konferencë për media u arsyetua se ishte bërë një “gabim teknik”.

“Stafi ka bërë një gabim dhe e ka lëshu një komunikatë pa miratimin tim. Aty nuk ka pasë diskutim tjetër përveç njoftimit që e kam bërë. Prandaj është gabim teknik që është bërë prej stafit tim”, tha ai.

Basha tha në konferencë se Osmanin vetëm e “njoftoi” për hapat që i ndoqi të shtunën për ta shpallur të konstituuar Kuvendin, edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Partitë tjera dhe ekspertët ligjorë përgjithësisht thonë se partia e Albin Kurtit, përmes kryetarit të Kuvendit, devijoi nga rendi kushtetues.

Komunikata për takimin e Bashës me Osmanin, para korrigjimit përmendte se “krerët e institucioneve e theksuan rëndësinë e funksionalitetit të institucioneve dhe të stabilitetit politik përballë sfidave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, duke nënvizuar se qytetarët e Republikës së Kosovës presin efikasitet dhe përgjegjësi nga udhëheqësit e tyre”.

“Kryetari i Kuvendit, z. Dimal Basha, rikonfirmoi përkushtimin e tij që Kuvendi i Kosovës të ushtrojë rolin e vet të plotë kushtetues pas konstituimit, ndërsa Presidentja Osmani ritheksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e vendit në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, thuhej në të.

Pas korrigjimit, komunikatës iu hoqën të gjitha fjalët tjera, dhe iu la vetëm kjo fjali: “Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha, ka zhvilluar takim konsultativ dhe njoftues me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani”.

Basha kërkoi falje për këtë që ai e quajti “lëshim teknik”.

“Unë i kam thënë stafit me e lëshu një komunikatë ku ka me qenë një takim njoftues. Aty ka shku një komunikatë tjetër”, tha ai.

“I vetmi diskutim që ka qenë brenda ka qenë njoftimi për presidenten për atë çka ka ndodhë dhe arsyetimi mbrapa vendimeve”.

Basha tha se komunikata u publikua para se ai të dilte nga takimi.

Komunikata fillimisht u publikua në 12:39, ndërsa u korrigjua në një fjali në 12:55.

Presidenca, ndërkaq, nuk ka lëshuar ende një njoftim për këtë takim.