Gabimi i pafalshëm i Albin Kurtit (pse erdhëm deri këtu) - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

01/05/2020 11:09

Gabimi i pafalshëm i Albin Kurtit (pse erdhëm deri këtu)

Ballina

Gazeta Express

01/05/2020 11:09

Rritja e pandalshme e Albin Kurtit nga zgjedhjet në zgjedhje (2010, 2014 dhe 2017-ës) paralajmëronte rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Asgjë nuk  mund ta ndalte atë përveç një koalicioni të gjerë të partive kundërshtare. Kjo edhe i kishte ndodhur në zgjedhjet e 2017-ës kur koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) mori vetëm 7 deputetë më shumë se Vetvendosje! si parti e vetme.

Shkruan: Ermal Mulosmani

I gjithë problemi i Kurtit në fillim të Shtatorit 2019 ishte që koalicioni PAN ose PLAN ose LAN të mos ndodhte dhe LDK e VV të bënin marrëveshje parazgjedhore. Kurti i kishte përjashtuar të gjithë përveç LDK-së nga ndonjë mundësi bashkëpunimi. Kryekundërshtari i tij ishte Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, por për një opinion të gjerë njeriu që kontrollon përmes fijeve të dukshme e të padukshme të gjithë liderët e tjerë të vendit.

Ai nuk i zinte besë as Haradinajt as Limajt e thellë thellë as Isa Mustafës dhe establishmentit të LDK-së.

Në 26 Gusht 2019-ës, Kurti mori një dhuratë të jashtëzakonshme nga Isa Mustafa. Lidhja Demokratike e Kosovës emëroi si kandidate të saj për Kryeministre Vjosa Osmanin, një deputete që kishte treguar konsistencë të vazhdueshme në luftën kundër Hashim Thaçit. Fati u tregua mjaft bujar por Kurti nuk u tregua largpamës. Negociatat parazgjedhore me LDK-në ishin të gjata dhe të padobishme. Askush nuk e lëshonte pozitën e Kryeministrit. Në fakt, arsye të forta për të mos lëshuar kishte vetëm Vjosa. Vetëm ajo luante gjithë karrierën politike në ato zgjedhje!

Sepse nëse Vjosa nuk shpallej fituese dhe Kryeministre as zgjedhjeve fati politik do të ishte ky që është sot. Mustafa dhe LDK do ta mënjanonin dhe do të merrnin bajrakun, deputetët do të bëheshin me bajraktarët dhe Albini do mbetej si peshku në zall.

Përkundrazi, nëse Vjosa do të shpallej Kryeministre e Kosovës (falë edhe altruizmit të Kurtit), sot koalicioni do ishte më i fortë se kurrë. Osmani do të bëhej figura qendrore e Partisë së saj, do të mbante në kontroll grupin parlamentar dhe timonin e Qeverisë. Ajo me siguri do të dinte të menaxhonte më mirë krizën me amerikanët dhe do ta tejkalonte situatën pa dorëheqje ose mocion.

Ky ishte gabimi kryesor i Albin Kurtit. Atë nuk e kërcënonte asgjë nga qënia i dyti, krejt ndryshe prej Vjosës. Lufta fitohet më kollaj duke bërë një tërheqje provizore. Do ishte strategji fantastike politike sikur t’a kishte lënë Vjosën të parën.

Por ambicia e sëmurë për të qenë Kryeministër me çdo kusht e rrëzoi. Të tjerat janë pasojë e kësaj.

Këtë gabim të Kurtit e shfrytëzoi në mënyrë dinake kundërshatri-partner, Isa Mustafa.

Në fillim mënjanoi Vjosën duke e trajtuar si humbëse të zgjedhjeve. Paçka se po ta krahasojmë me votat e dy viteve më parë LDK kishte mbi 50 mijë vota më shumë. Pavarësisht rekordit historik të votave të marra nga një mandatar i LDK-së. Kjo quhej zhgënjyese për Mustafën. Në limitet e votimit, vepron me mjaft zgjuarsi duke e votuar Qeverinë Kurti. Kjo strategji e votimit ishte e duhura për të shmangur zgjedhjet. Pastaj përdori amerikanët dhe të ardhmen e rrezikuar të Kosovës për ta rrëzuar dhe tani po bën koalicion me rrëzuesit e tij të 2017-ës, AAK-në e Haradinajt dhe Nismën e Limajt. Një koalicion i brishtë dhe i kushtëzuar në Parlament nga votat e minoriteteve pasi të tre partitë nuk i kalojnë 45 votat nga 61 që kërkohen. Jemi në situatën e vjetër kur Qeveria e një vendi 1.8 milionësh mund të ketë 4-5 zv/Kryeministra, 75 zv/Ministra, 300 këshilltarë, 60 sekretare….

Pikërisht atje ku ishim.

Ky është momenti politik i Isa Mustafës. Me ndihmën e Albinit (arriti të neutralizojë kundërshtern e tij më të madhe në Parti, arriti të nxjerrë nga Parlamenti emrat më të rëndësishëm të Vetvendosje! (Kurti, Konjufca, Haxhiu, Vitia) nuk mund të jenë deputetë pasi kanë dhënë dorëheqje më parë nga kjo pozitë. Madje edhe deputetët më të suksesshëm të LDK-së- si numër votash- Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni- e kanë dorëzuar mandatin e deputetit duke lënë fatin e tyre në dorën e Mustafës. Mundet as Ministra mos të bëhen në Qeverinë e re sepse janë treguar të afërt me Osmanin…

Madje ironia shkon më tej. Kur u pyet për të ardhmen e Vjosa Osmanit, Mustafa u përgjigj “Ajo është çështje e Partisë së Kurtit”.