Gabimet gjuhësore që i bëjmë të gjithë - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

21/01/2020 15:03

Gabimet gjuhësore që i bëjmë të gjithë

Arte

Gazeta Express

21/01/2020 15:03

Janë fjalë a trajta gramatikore krejtësisht të rëndomta, por, sipas ndonjë ligji të panjohur, përdorimi i tyre i gabueshëm përhapet si ndonjë epidemi gjuhësore. Për cilat është fjala?

Nga Lumnije Morina

Duhet të ekzistojë një ligj i panjohur, sipas të cilit, në një kohë të caktuar – siç po ndodh kohën e fundit te ne – një numër i caktuar fjalësh e trajtash gramatikore të përdoren rregullisht gabimisht nga gazetarët e medieve tona të shkruara dhe ato elektronike, si dhe nga personalitete publike që paraqiten në to. Me gjasë, shembujt e këqij imitohen më shpesh e më lehtë dhe përhapen si ndonjë epidemi ndër ata që nuk kanë njohuri paksa më të qëndrueshme të gramatikës.

Për t’i parë më qartë këto shkelje të normës letrare, ne kemi vendosur t’i paraqesim ato në një cikël shkrimesh, duke filluar nga fusha gramatikore, shkeljet e normës tek emrat, mbiemrat, foljet, ndajfoljet, përemrat, parafjalët etj., pastaj nga fusha sintaksore, leksikore, gabimet në përdorimin e shenjave të pikësimit e të tjera që i përkasin drejtshkrimit.

Qëllimi i këtyre shkrimeve është edhe edukativ sepse përveç vënies në pah të shkeljeve drejtshkrimore, do të përpiqemi t’i japim edhe trajtat e sakta të tyre.

Për t’i paraqitur shkeljet gjuhësore me shembuj konkretë kemi vëzhguar me vëmendje, kohën e fundit, mediumet tona elektronike dhe këta shembuj i kemi vjelë prej tyre.

Po fillojmë, pra, me shkeljet drejtshkrimore në fushën e gramatikës, duke filluar nga emri, të cilat janë mjaft të shpeshta edhe te ai.

Shkeljet e normës drejtshkrimore tek emri

Shkelje të normës letrare në fushën e emrave kemi hasur mjaft shumë, por ne në këtë tekst do t’i paraqesim ato më të shpeshtat. Duke filluar nga gjinia e emrit, kemi marrë shembuj të përdorimit gabimisht të gjinisë femërore në vend të asaj mashkullore. Emri nder është një prej shembujve të tillë:

Emri nder si emër i gjinisë mashkullore është përdorur gabimisht në këtë fjali, duke u shkruar si emër i gjinisë femërore. Në trajtën e saktë të tij duhet të shkruhet … për nder të…

Shkelje të normës letrare kemi edhe te trajtat e emrit. Në vend të trajtës së shquar kemi përdorimin gabimisht të trajtës së pashquar:

Pra, në vend të trajtës së pashquar, emri Vetëvendosje duhet të shkruhet në të shquarën: Vetëvendosja ngre kallëzim…

Një shkelje gramatikore mjaft e shpeshtë bëhet edhe te numri i emrit. Në vend të numrit shumës përdoret numri njëjës. Për shembull:

Në këtë titull kemi ngatërrimin e numrit njëjës me numrin shumës te emri familje. Nga konteksti i fjalisë kemi të bëjmë me dy familje dhe titulli duhet të jetë kështu: Thaçi ndan medalje presidenciale për familjet Krasniqi e Jakupi

Një tjetër shkelje te numri i emrit vërehet tek emrat që e formojnë temën e shumësit me –ë e që shpesh dalin pa këtë mbaresë. Shembulli në vijim paraqet një rast të tillë:

Ky emër në trajtën e saktë të tij, në këtë rast duhet të shkruhet: …60 pjesëtarë…

Një shkelje tjetër e normës drejtshkrimore tek emrat, të cilën e kemi gjetur mjaft shpesh, është ngatërrimi i rasave. Përdorimin gabimisht të emrit në rasën emërore në vend të rasës kallëzore, pothuaj e kemi gjithmonë tek emri orë:

Ndërkaq, trajta e saktë e këtij emri, në vend të rasës emërore, duhet të jetë në rasën kallëzore: Kurse, në orën 12:00 mbahet…

Pastaj kemi një shkelje tjetër të normës drejtshkrimore që bëhet te mbaresat rasore. Emrat e gjinisë femërore që mbarojnë me temë me –e, në rasat e zhdrejta zakonisht shkruhen pa mbaresë rasore.

Në këtë rast emrin marrëveshje e kemi në rasën gjinore të trajtës së pashquar, por është i shkruar pa mbaresën e gjinores -je. Duhet të shkruhet: … arritjes së një marrëveshjeje paqësore…

Pastaj kemi mungesën e mbaresave rasore edhe tek emërtimet e institucioneve shtetërore, organizatave etj., por në rastet kur janë të shkruara me shkurtesa:

Në këtë titull shkurtesa BE, që është shkurtesë e emërtimit të Bashkimit Evropian, duhet të jetë në rasën emërore të shquar dhe të shkruhet: … BE-ja po përpiqet…

Shkelje të tilla të normës letrare shqipe tek emri kemi hasur në numër mjaft të madh gjatë vjeljes së tyre, por ne këtu kemi paraqitur ato më të shpeshtat që bëhen nëpër mediet tona.

Në shkrimin e ardhshëm do t’i paraqesim shkeljet drejtshkrimore në fushën e mbiemrave.