Fytyrat e krimit - Gazeta Express
string(16) "fytyrat-e-krimit"

Fytyrat e krimit

OP/ED

Gazeta Express

05/08/2022 15:58

Ushtarakë serbë, të cilët kanë komanduar njësi që kanë kryer krime në Kosovë, lartësohen e nderohen në Serbi. Fytyrat e krimit kanë zënë pozita të rëndësishme në institucione publike atje. Shteti nuk merr përgjegjësi për krimet në Kosovë, përkundrazi kërcënon me luftë të re.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Një gjeneral serb, i cili ka komanduar një brigadë që ka kryer krime luftë në Kosovë, është zgjedhur sërish nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Në një shtet normal, Bozhidar Deliq do të duhej të jepte përgjegjësi për krime të kryera në zonën e tij të përgjegjësisë, si udhëheqës i Brigadës 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Por, në Serbi situata është tjetër. Atje vetëm një numri të vogël njerëzish, respektivisht ca mediave dhe OJQ’ve iu bën përshtypje se ai është një ndër shtatë nënkryetarët e Kuvendit.

I zgjedhur tri herë deputet nga vitit 2007, ai tash politikisht përfaqëson koalicionin e djathtë opozitar “Nada”, por para dy dekadash përfaqësonte krimin shtetëror të regjimit të Slobodan Milosheviqit, që kryente vrasja e maskra nëpër Kosovë, respektivisht në Rrafshin e Dukagjinit.

Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi një dosje të tetë ofensivave ushtarake që përfshinin Brigadën 549 në fshatrat e Kosovës, në mars e prill 1999, që rezultuan me gjithsej 885 të vdekur. Por, një zyrtar i FDH’së ka përmendur më shumë se 2100 civilë të vrarë dhe rreth 450 të zhdukur në zonën e përgjegjësisë komanduese të Deliqit, në komunën e Prizrenit, Rahovecit, Dragashit, Suharekës dhe Gjakovës. Përveç në masakrat e Mejës dhe Korenicës, ushtarët e komanduar nga Deliq, sipas dëshmitarëve, kanë marrë pjesë edhe në masakrat e Tërnjes, Celinës e Krushës. Madje, në dy fshatrat e fundit, po sipas dëshmitarëve, në ditën e masakrave ka qëndruar vetë Deliq.

Në sulmin në fshatrat Mejë e Korenicë, më 27 prill 1999, policët dhe paramilitarët, përfshirë ushtarë të Brigadës 549, kanë vrarë vranë të paktën 377 civilë, 36 prej të cilëve më të rinj se 18 vjeç. Kundër Deliqit prokuroria serbe për krime lufte kishte nisur hetimet, por ai nuk u padit kurrë. Përkundrazi. Ai në Serbi konsiderohet hero, ftohet vazhdimisht në intervista televizive për të treguar se si i luftoi dhe vrau “terroristët shqiptarë”, ndërkaq vazhdon që për shqiptarët e Kosovës të përdor termin fyes “shiptari”.

Derisa ishte në detyrë, Milosheviq e kishte dekoruar Brigadën 549 për “mbrojtje heroike të vendit”. Edhe më shumë se 20 vjet pas luftës, Serbia vazhdon t’i nderojë e dekorojë ata që morën pjesë në krimet kundër shqiptarëve.

* * *

Vitin e kaluar Serbia nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq-Guri. Shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në Serbi më 1999, pas luftës në Kosovë. Vrasja e tyre ende nuk është zbardhur dhe Radosavleviq udhëhiqte kampin në të cilin, më 2001, u gjetën mbetjet mortore të tyre.

Figura të tjera të luftës janë rehabilituar dhe kanë zënë pozita të rëndësishme në institucionet shtetërore atje. Vetë Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë mbante pozitën e ministrit të Informacionit, tash sa vjet është në krye të shtetit serb. Ai vazhdon të refuzojë përgjegjësinë për krimet e shtetit serb në Kosovë, ashtu siç vazhdon të pengojë Kosovën drejt forcimit si shtet. Madje, nuk ngurron as ta kërcënojë me luftë. Por, të gjitha këto nuk i bëjnë përshtypje Bashkimit Europian, që sillet butë me Vuçiqin, duke e konsideruar madje garant të paqes në rajon.

Serbia nuk ka marrë as përgjegjësi morale, as ka kërkuar falje, as ka shprehur pikën e keqardhjes për atë çfrë ka ndërmarrë gjatë luftës në Kosovë. Përkundrazi, ka lartësuar e nderuar kriminelët. Për më tepër, nëpërmjet një partie të kontrolluar nga ajo në Kosovë, Listës Serbe, përpiqet të organizojë rezistencë institucionale e joinstitucionale, duke sabotuar institucionet dhe shtetin e Kosovës.

* * *

Për dallim nga Serbia, në Kosovë nënkryetare e Kuvendit është një e mbijetuar e krimeve të forcave policore e ushtarake të Serbisë, Saranda Bogujevci. Ajo dhe shumë të tjerë janë fytyra e asaj çfarë ka bërë Beogradi në Kosovë. Sot, kur dialogu me Serbinë vazhdon, Aleksandar Vuçiq ende ngurron të pranojë përgjegjësinë e shtetit që udhëheq për Kosovën. I konsideruar demokrat nga Perëndimi, ai po vazhdon të mos e pranojë dhe ta sabotojë shtetin e Kosovës. Ndërkaq ministra të tij vazhdojnë të fyejnë shqiptarët e Kosovës me gjuhën më të poshtër të mundshme.

Pajtimi i shumëpërfolur ndërmjet dy shoqërive, dy shteteve nuk mund të arrihet pa u pranuar realiteti nga Serbia. Pa u pranuar se Bozhidar Deliq dhe të tjerët si ai janë përgjegjës për krime. Pa i ndëshkuar ata.

Lartësimi dhe dekorimi i kriminelëve e bën pajtimin shumë të vështirë. Nuk mund të kërkohet nga viktimat që të falin, ndërkohë që agresori nuk merr pikën e përgjegjësisë për çfarë ka vepruar. Bozhidar Deliqi është veç një ndër fytyrat e krimit.