Futbollisti serb: Droni ishte i përgatitur, lojtarët e Shqipërisë e dinin se do të lëshohej - Gazeta Express
string(89) "futbollisti-serb-droni-ishte-i-pergatitur-lojtaret-e-shqiperise-e-dinin-se-do-te-leshohej"

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 12:53

Futbollisti serb: Droni ishte i përgatitur, lojtarët e Shqipërisë e dinin se do të lëshohej

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 12:53

Futbollisti serb Nenad Tomovic, në një intervistë për “Sportinho”, është rikthyer të flasë për dronin që ishte lëshuar në atë ndeshjen e famshme të 14 tetorit të vitit 2014 mes Serbisë dhe Shqipërisë, përcjell “Gazeta Express”.

Tifozi i njohur shqiptar, “Ballisti” kishte insistuar se e kishte përgatitur i vetëm krejt punën për ta ngritur flamurin e Shqipërisë etnike “Autochthonous”, por që ish-përfaqësuesi serb insiston se droni ishte i inskenuar dhe se futbollistët shqiptarë e dinin se do të ndodhte një gjë e tillë.

“Sinqerisht, ishte një provokim i madh ta shihnim atë flamur të valëvitej mbi kokat tona. Stefani, sipas mendimit tim, reagoi me zgjuarsi dhe e hoqi menjëherë. Mund ta shihni nga kjo, nga reagimi i tyre, se si ata vrapuan dhe filluan ta mbronin atë flamur. Mendoj se gjithçka ishte e planifikuar, e organizuar, pastaj të gjithë filluam të vraponim, filluan incidentet, por siç thashë pak më parë, mendoj se gjithçka duhej të ishte në fushë dhe të mos mbaronte në atë mënyrë, por ky ishte padyshim qëllimi i tyre. Atë që planifikuan, më në fund e arritën”, deklaroi 38-vjeçari.

Ai më pas foli edhe për ndeshjen e një viti më vonë në Shqipëri, më saktësisht në Elbasan, ku serbët fituan 2:0.

“Luajtëm shkëlqyeshëm taktikisht si ekip, të gjithë ishim të motivuar tepër, sikur të mos duhej ta kishim humbur atë ndeshje. Para së gjithash, sepse të gjithë e dinë çfarë ndodhi me ne më parë, kështu që donim të hakmerreshim dhe t’u tregonim atyre se tre pikët merren në fushë, jo pas një skandali”, shtoi Tomovic.

“Sa u përket brohoritjeve, stadiumi ishte plot, por nuk mund të krahasohet me atmosferën që ishte këtu, pasi ai stadium i mbushur nuk u ndje. Sikur të mos ishin aq të zhurmshëm, nuk ishin aq fanatikë”, vazhdoi ai.

Qendërmbrojtësi foli edhe për ndeshjen e së shtunës mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të luhet në Leskovc.

Sipas tij, serbët duhet ta fitojnë gjithsesi këtë lojë pasi, shton ai, Serbia e ka një cilësi individuale dhe ekipore pakrahasueshëm më të madhe se Shqipëria.

“Mendoj se kudo që të luhet ndeshja, në Beograd apo Leskovc, Zajeçar, Kragujevc apo Nish, qëllimi duhet të jetë i njëjtë. Mendoj se të gjithë do të vijnë sa më shumë të jetë e mundur për ta mbështetur ekipin tonë kombëtar. Çelësi do të jetë durimi dhe të qenit më të zgjuar në mënyrë organizative, të mos ngutemi dhe të mos nxitohemi për të shënuar një gol me çdo kusht. Sigurisht, ne kemi cilësi shumë më të lartë si individualisht ashtu edhe si ekip, kështu që mendoj se i kemi të gjitha parakushtet për ta fituar këtë ndeshje”, përfundoi Tomovic. /Gazeta Express