Sot është një ditë e veçantë për botën e futbollit.
Legjendari Lionel Messi e feston sot ditëlindjen e tij të 38-të.
Ai që nga shumëkush konsiderohet si lojtari më i mirë në histori të futbollit, i ka dhënë shumë këtij sporti dhe po vazhdon të japë me magjinë e tij, ndonëse në perëndim të karrierës.
Messi ka fituar gjithçka që është e mundshme në futboll duke e kompletuar një karrierë impresionuese, shkruan “Gazeta Express”.
Ai që i mungonte më së shumti dhe që e kishte merakun më të madh – trofeun e Kupës së Botës, e fitoi në vitin 2022 në Katar.
E paraprakisht, “Pleshti” kishte fituar shumë trofe të tjerë.
Ai në fakt është futbollisti më i suksesshëm në histori të futbollit me 46 trofe të fituar.
Prej tyre, më të rëndësishmit, krahas Kupës së Botës, janë 4 Liga të Kampionëve me Barcelonën, 10 herë titullin në La Liga, dy herë trofeun e Copa Americas dhe 2 herë titullin e Ligue 1 në Francë.
Messi i ka zhvilluar 1107 ndeshje në karrierë, ndërsa i ka realizuar 866 gola dhe i ka bërë 384 asistime, me një total prej 1250 kontributesh në gola (gola + asistime).
Argjentinasi i ka shënuar 68 gola nga gjuajtja e lirë, ndërsa i ka realizuar 59 “hat-trick”-a.
Ai e ka fituar tetë herë Topin e Artë dhe dy herë Topin e Artë të Botërorit, ndërsa është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit aktualisht është pjesë e Inter Miamit, me të cilin mbrëmë u kualifikua në të tetën e finales së Botërorit të Klubeve.
Një tjetër arritje që e bëri mbrëmë 38 vjeçari i lindur në Rosario të Argjentinës ishte se e kaloi fazën e grupeve për herë të 33-të në karrierë nga po aq tentime, gjë të cilën s’e kish bërë askush më herët. /Gazeta Express
Sunny Hill Festival po afron dhe banka ProCredit, si sponsor gjeneral i festivalit, të sjell më afër skenës magjike...