“Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës” - Gazeta Express
string(64) "futbolli-dhe-ndikimi-i-tij-ne-promovimin-e-shtetesise-se-kosoves"

Sport

Gazeta Express

31/03/2021 10:15

“Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës”

Sport

Gazeta Express

31/03/2021 10:15

Më 28 mars në ambientet e Kampusit Inovativ në Parkun Shkencor të UBT-së në Lipjan, Instituti i  Kosovës për Sport në bashkëpunim me Kolegjin UBT ka mbajtur konferencën me temë: “Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës”, ne prag të ndeshjeve shumë të rëndësishme që do të zhvillojë Kombëtarja e Kosovës në futboll, në veçanti atë me Spanjën.

Lexo Edhe:

Në këtë konferencë morën pjesë fizikisht dhe virtualisht rektori i UBT-së si nikoqir, prof. dr. Edmond Hajrizi, ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington znj. Vlora Çitaku, z. Eroll Salihu nga Federata e Futbollit të Kosovës, si dhe gazetari i njohur nga Brukseli, z. Augustin Palokaj. Në këtë konferencë profesori Richard Giulianotti nga Mbretëria e Bashkuar dhe z. Juan Manuel Montoro nga Spanja, prezantuan dy tema të lidhura me rolin e sportit dhe shoqërisë, si dhe ndikimin e futbollit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Spanjës. Konferenca u moderua nga z. Adnan Ahmeti, bashkëthemelues i Institutit të Kosovës për Sport dhe bashkë-organizator i kësaj konference.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, theksoi se marrëdhënia e shëndetshme midis sportit dhe shoqërisë, me ndërmjetësimin e akademisë dhe diplomacisë, është e rëndësishme për rritjen e nivelit të talentit dhe impaktit të sportit në Republikën e Kosovës.

“Imazhi më i mirë që Kosova mund t’i tregojë botës, është një imazh i një shoqërie të shëndetshme, gjithashtu përmes sporteve, një shoqëri që është sa konkurruese edhe aq bashkëpunuese në arritjen e interesit të përbashkët”, u shpreh profesor Hajrizi duke shtuar se diplomacia jonë më e mirë është përmes fuqizimit të sportistëve në sportet individuale dhe ekipore brenda Republikës së Kosovës, në mënyrë që të përfaqësojmë me krenari shtetin tonë në nivelet më të larta.

Nga ana e saj, znj. Vlora Çitaku është shprehur mbi lidhjen e pashmangshme të sportit me politikës.

“Marrëdhënia e sportit me politikën dhe me identitetin është e lashtë dhe e pashmangshme. Sporti si koncept që në lashtësi është përdorur për qëllime politike dhe ushtarake, për të përzgjedhur ushtarët më të mirë për të arritur qëllimet politiko-ushtarake. Në rastin e Kosovës, sporti ka rrëzuar muret e mos-njohjes për Kosovën, me atletët e sportistët tanë që kanë udhëtuar në mbarë botën, edhe në vende mos-njohëse, duke shkëlqyer dhe ngritur flamurin tonë në majat më të larta”, u shpreh ajo duke thënë se sporti i Kosovës ka qenë më i suksesshëm në arritjen e kufijve të rinj ndërkombëtar, se sa vetë politika e Kosovës.

“Jemi të bekuar që fëmijët tanë kanë si heronj sportistë të suksesshëm të Kosovës. Jam e bindur që në ndeshjen e futbollit me Suedinë, Kosova do të fitojë”, është shprehur ish-ambasadorja Çitaku.

Z. Eroll SALIHU, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, përsëriti procesin e integrimit të FFK-së në FIFA dhe UEFA. Duke kujtuar kontekstin e vështirë në të cilin FFK krijoi kampionatin e saj në vitet 1990, z. Salihu deklaroi se “futbolli ka mbijetuar në rrethanat më të vështira dhe kjo tregoi se sa e duan njerëzit tanë këtë lojë”.

Në lidhje me marrëdhënien ndërmjet futbollit dhe diplomacisë, z. Salihu nënvizoi pengesat e mëdha politike gjatë procesit të pranimit në FIFA dhe UEFA që filloi zyrtarisht në vitin 2008. Sipas z. Salihu, një argument i përsëritur kundër përfshirjes së Kosovës në garat ndërkombëtare ishte fakti që nuk ishte një anëtar i OKB-së, një ide që u zhbë me sukses pasi ka raste të dukshme të anëtarëve të FIFA dhe UEFA ku shtetet e të cilave nuk marrin pjesë në shumë organizata ndërkombëtare, si Zvicra e cila nuk ishte anëtare e OKB deri në 2002.

Për më tepër jo të gjithë njohësit e shtetit tonë mbështetën pranimet e Kosovës. “Disa federata nga vendet njohëse nuk votuan për pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, sepse kishin frikë të humbnin lojtarë me origjinë kosovare që po luanin në ekipet e tyre”, tha ai. Sapo u pranuan në UEFA dhe FIFA në 2016, autoritetet e FFK-së nuk e panë këtë moment historik vetëm si një fund të lumtur, por si fillimin e sfidave të reja.

Profesor Giulianotti argumentoi në këtë konferencë se arritja e balancës ndërmjet investimeve në sport dhe vendosmërisë për të arritur rezultate gjithëpërfshirëse brenda Kosovës, është kyçe për ndërtimin e një kulture sportive në vend.

 Ai theksoi se sporti është një dritare e rëndësishme për promovimin e një edukimi shoqëror bazuar mbi barazi gjinore, luftën ndaj diskriminimit dhe promovimin e paqes.  Po ashtu, edhe gazetari nga Spanja, z. Montoro shtoi se aktivitetet sportive ndërkombëtare janë të rëndësishme për promovimin e Republikës së Kosovës. Ai iu ka referuar ndeshjes së kombëtares së futbollit të Kosovës me Spanjën javën e ardhshme, si një moment historik për prezantimin e Kosovës si një entitet i veçantë e i pavarur tek publiku spanjoll.

“Kjo do t’iu mundësojë autoriteteve politike spanjolle të rrisin vëmendjen ndaj rritjes së komunikimit me Republikën e Kosovës, dhe t’i tejkalojnë edhe barrierat politike imagjinare”, u shpreh ai.

“Njohja nga Spanja do të jetë e rëndësishme për Kosovën, por ndërkohë ngjarje të njohura dhe masive si kjo ndeshje mund të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit tek audienca spanjolle dhe, në fund të fundit, mund të shtyjnë drejt një angazhimi më të mirë të Spanjës në çështjet që lidhen me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi ”. Sipas z. Montoro, shoqëria dhe politikanët spanjollë kanë shmangur të diskutojnë hapur pozicionin e saj ndaj Kosovës për shkak të një kombinimi të mosinteresimit dhe shqetësimit, i cili rrjedh nga disponimi i keq dhe qëndrimet armiqësore në të gjitha gjërat që lidhen me Kosovën. Tani Spanja nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse që të ballafaqohet  me pozicionin e saj dhe ta bëjë atë në përputhje  me protokollet ndërkombëtare. “Dikush edhe mund të kuptojë, edhe pse nuk është dakord, pse Spanja nuk e njeh Kosovën. Sidoqoftë, reagimi i tepërt i saj dhe ngurrimi për t’u përfshirë madje edhe disa gjeste simbolike është i padrejtë, veçanërisht kur kihet parasysh se sa kosovarët e duan dhe interesohen për Spanjën”, theksoi ai.

Një pjesë interesante e kësaj konference ishte edhe prezantimi i rrugëtimit të futbollit të Kosovës që nga vitet 1990 e deri më tani, nëpërmjet fotove të cilat ishin përgatitur nga z. Gani Kosumi, një gazetar sportiv dhe foto-reporter me përvojë mbi 40 vjeçare. Z. Ahmeti nga Instituti i Kosovës për Sport e quajti z. Kosumi një ‘Leonardo Da Vinci të fotove sportive të Kosovës’ dhe gjithashtu nënvizoi faktin që z.Kosumi zotëron një arkiv prej 150 000 fotografish të të gjitha ngjarjeve sportive nga vitet 1990 e më tej.

“Falë z. Kosumi ne jemi në gjendje të paraqesim mbijetesën e futbollit gjatë viteve 1990 dhe zhvillimin e tij deri më tani. Z. Kosumi ka një thesar kombëtar prej 150 mijë fotografish nga ngjarjet sportive dhe unë do të doja të bëja publike që Instituti i Kosovës për Sport dhe Gani Kosumi tashmë kanë arritur marrëveshjen për t’i përdorur këto fotografi duke krijuar fillimisht një muze sportiv virtual të Kosovës dhe më vonë edhe fizik’, tha z. Ahmeti.

Korrespodenti i Grupit Koha nga Brukseli, z. Augustin Palokaj prezantoi një perspektivë shumë interesante lidhur me procesin e liberalizimit të vizave në Evropë dhe sa e rëndësishme do të jetë për tifozët kosovarë në të ardhmen. Sipas tij, “nëse nuk do të ishim në mes të një pandemie globale, do të kishte shumë tifozë kosovarë që do të dëshironin të udhëtonin në Spanjë për të parë këtë ndeshje historike. Por të gjithë e dimë se cili është pozicioni i Spanjës, e cila përveç që nuk e njeh Kosovën, ajo nuk njeh as pasaportën e Kosovës”. Nuk po shohim vullnet të  mirë nga Spanja në këtë drejtim dhe është politika ajo që në Spanjë po përpiqet të ndikojë në sport. Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA ka hapur rrugë që Kosova të mund të aplikojë për fondet e BE-së për zhvillim.

Gjithashtu, edhe pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë më gjerësisht mbi këtë temë duke iu përgjigjur pyetjeve nga publiku virtual në këtë konferencë.

Më pastaj, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, falënderoi pjesëmarrësit dhe folësit për kohën dhe angazhimin e tyre për këtë temë, duke shtuar se ka besim që do të shohë një rritje të nivelit të sportit në Kosovë, si fryt i bashkëpunimit të të gjitha institucioneve në vend.

“UBT është pararojë në Kosovë si fituese  në nivel rajonal dhe ndërkombëtar i kompeticioneve të sporteve virtuale. Do të rrisim përfshirjen tonë të akademisë me sportin duke synuar që të hapim edhe një program të studimeve për sportin në UBT”, theksoi rektori z.Hajrizi.

Si përfundim, në një botë globale, diplomacia është e lidhur ngushtë me futbollin. Sportet u ofrojnë të gjitha kombeve një dritare të dukshme larg bisedimeve të pakëndshme. Futbolli ka të bëjë me gëzimin, solidaritetin, miqësinë, përkushtimin, punën në ekip dhe tejkalimin e vështirësive. Sportet përqafojnë vlerat që të gjitha shoqëritë kanë nevojë për të promovuar dhe për të treguar një mënyrë ose metodë për të zgjidhur konfliktet. Kjo është korniza nën të cilën Instituti i  Kosovës për Sport dhe Kolegji UBT organizuan këtë ngjarje dhe kjo është fryma që do të orientojë agjendën tonë të aktiviteteve të ardhshme.

Në Kosovë njerëzit e dinë që sportet nxjerrin më të mirën prej nesh. Le ta tregojmë këtë para botës.

LINKU: https://www.facebook.com/UniversitetiUBT/videos/130696248999473