Fuqia e sportit: Kelmendi, Gjakova e Krasniqi, krenari të Kosovës në Lojëra Olimpike - Gazeta Express
string(81) "fuqia-e-sportit-kelmendi-gjakova-e-krasniqi-krenari-te-kosoves-ne-lojera-olimpike"

Fuqia e sportit: Kelmendi, Gjakova e Krasniqi, krenari të Kosovës në Lojëra Olimpike

Sporte tjera

Gazeta Express

07/07/2022 15:00

Sporti i xhudos ia ka zbardhur shpesh fytyrën Kosovës pas sukseseve të njëpasnjëshme ndërkombëtare.

Falë këtij sporti, vendi ynë i vogël i ka tri medalje të arta olimpike.

Lexo Edhe:

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e të tjerët, kanë qenë ambasadorët më të mirë të Kosovës, duke bërë që flamuri shtetëror i saj të ngritet edhe në vendet që s’e kanë njohur Kosovën si shtet.

E gjiganti mediatik sportiv “Eurosport”, në versionin e tij në italisht, e ka realizuar një reportazh kushtuar xhudos kosovare, posaçërisht tri kampioneve olimpike, por edhe trajnerit të tyre të suksesshëm, Driton Kuka, përcjell “Gazeta Express”.

“Fuqia e sportit. Kelmendi, Gjakova e Krasniqi, krenaria e Kosovës. Tri kampione olimpike të xhudos me trajektore unike”, shkruan në fillim të shkrimit të “Eurosport”, i cili e përshkruan rrugëtimin e Kosovës që nga pavarësimi i saj në vitin 2008 dhe më pas pjesëmarrjen në dy Olimpiada, ku arriti t’i kapte tri medalje të arta.

Majlinda Kelmendi e ka shkruar historinë duke e fituar medaljen e artë në “Rio 2016”.

E ky sukses më pas i kishte inspiruar edhe Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën pas katër vjetësh në Tokio, që po ashtu u treguan të suksesshme.

“Kur Majlinda e fitoi të artën, gjithçka ndryshoi. Filluam ta shikonim xhudon në një mënyrë më ndryshe. E kemi kuptuar se do të mund ta fitonim edhe ne pasi jemi rritur të gjithë në të njëjtën palestër, kemi marrë pjesë në të njëjtat gara dhe në të njëjtat stërvitje”, thotë fillimisht Nora, përcjell “Gazeta Express”.

“Nganjëherë më duhet ta rimendoj. E kam fituar medaljen olimpike, është diçka e bukur, e jashtëzakonshme. Ta fitosh medaljen e artë është ëndërr e çdo sportisti, është diçka që e kam ëndërruar edhe unë. Është diçka e pabesueshme që ia kam dalë”, kujton Gjakova.

Momentet më të arta të karrierës i kujton me ëndje edhe Distria, e cila për momentin është xhudistja më e mirë e Kosovës.

“Kur e fitova gjysmëfinalen jam emocionuar shumë pasi e dija se do ta fitoja një medalje, të artë ose të argjendtë. Ishte një luftë me një xhudiste japoneze. Xhudo është një sport japonez. E ndieja presionin, por kam arritur të fitoja në 30 sekonda e fundit. Ishte një moment i paharrueshëm.

Të tria xhudistet janë pjesë e të njëjtit klub dhe të gjitha e kanë trajner Driton Kukën.

“Karriera ime ka marrë fund në vitin 1991, një vit para Olimpiadës së Barcelonës. Më pas shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi dhe aty ishte e përfshirë edhe Kosova”, e kujton kohën e vështirë trajneri më i mirë në botë.

Më pas, ai foli për epokën e artë, në të cilën meritat më të mëdha sigurisht që i shkojnë atij.

“Ta fitonim medaljen e parë të artë ishte speciale. Ishte pjesëmarrja e parë e Kosovës në Lojërat Olimpike. Jemi ndier të pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, shtoi trajneri pejan, përcjell “Gazeta Express”.

“I kemi tri kampione olimpike që jetojnë në harkun e 300 metrave. Tre fëmijë që pas luftës kishin ardhur në palestrën tonë për t’u zbavitur. Dhe, nga ai grup i vajzave të vogla që kishin ardhur për t’u zbavitur, janë lindur tri kampione olimpike”, thotë tutje Kuka.

Meritat e tij nuk i vënë në diskutim asnjëherë garueset e tij.

“Unë, Majlinda dhe Nora nuk do të mundë të fitonim medalje pa Tonin. Na ka ushtruar që kur ishim fëmijë. Është trajneri më i mirë në botë”, shprehet Distria

Sukseset e tri xhudisteve ia kanë mundësuar Kosovës që të grumbullojë fonde për ta ndërtuar qendrën të stërvitjeve nacionale të xhudos.

Tash, ato do të kenë më shumë mundësi dhe kushte për t’u stërvitur.

Olimpiada e Parisit më 2024 është tashmë në horizont dhe talenti i Pejës tashmë është duke u përpunuar.

“Shpresoj të përfundoj në podium edhe në Paris. Kemi nisur të përgatitemi për Olimpiadën e ardhshme. Kam ndjenja pozitive. Ishim të parat që kemi marrë pjesë në Olimpiadë me flamurin e Kosovës. Jemi mjaft krenare që e kemi përfaqësuar vendin tonë. E kemi dhënë gjithmonë maksimumin”, thotë Nora.

Ato bashkërisht mendojnë se xhudoja kosovare nuk do të ndalet me kaq, pasi talentet po dalin një pas një, përcjell “Gazeta Express”.

“Mund të dalin kampionë të rinj, pikërisht sikur ne”, shprehet tutje Gjakova.

“Jam e sigurt se xhudoja kosovare nuk do të ndalet vetëm me tri medaljet tona. Këtu, të gjithë angazhohen maksimalisht”, vazhdon Distria.

Falë xhudos, Kosova mund të shpresojë në medalje të tjera olimpike edhe në të ardhmen. /Gazeta Express/