Fuqia e butë kthen goditjen - Gazeta Express

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

12/10/2021 10:42

Fuqia e butë kthen goditjen

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

12/10/2021 10:42

Duket që AUKUS dhe Quad, të cilat përfaqësojnë fuqinë e hekurt në kuptimin e nocionit të Joseph Nye, nuk do të jenë shqetësimet kryesore të Kinës. Tani SHBA-të dhe BE kanë shtyrë në veprim fuqinë e tyre të butë përmes dy iniciativave të pavarura Build Back Better World ose B3W (Ndërto Prapa një Botë më të Mirë) dhe Global Gateway (Porta Globale) respektivisht.

Besfort Rrecaj

Lexo Edhe:

Derisa ditëve të fundit janë diskutuar në masë të madhe iniciativat e bashkëpunimit në fushën e sigurisë si aleanca AUKUS (Australi-Mbretëri e Bashkuar-SHBA) dhe Quad (SHBA, Indi, Australi dhe Japoni), duket që dy iniciativa në fushën e bashkëpunimit ekonomik kanë mbetur pak jashtë radarit. Njëra ka të bëjë me iniciativën e SHBA-ve e ashtuquajtur B3W të cilën Presidenti Amerikan Joe Biden e kishte prezantuar gjatë samitit të G7 në qershor e cila ishte mbështetur të gjitha shtetet e këtij grupi jo formal (SHBA, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia, Kanada dhe Japonia). Tjetra është një iniciativë e BE-së e ashtuquajtur Global Gateway e cila ishte lajmëruar në shtator të këtij viti nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Të dy këto iniciativa në thelbin e tyre kanë krijimi dhe nxitjen e fondeve investive kryesisht në infrastrukturë në vendet me zhvillim të ulët dhe të mesëm. Të dy këto iniciativa premtojnë gjenerimin e bilionë dollarëve amerikan si ofertë për këto vende të cilat kanë mbetur prapa në zhvillimin e infrastrukturës së tyre si rrugë, energji, ujësjellës, përballimin e ndryshimeve klimatike etj. duke synuar të përkrahin një zhvillim të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, këto iniciativa do t’i dalin pandan iniciativës tashmë disa vjeçare Kineze Road and Belt Initiative e cila tashmë e sa vite ka gjeneruar investime në vendet të ndryshme, kryesisht në Azi, Afrikë dhe Evropën Lindore që shkojnë deri në 2,5 bilion dollarë amerikan.

Iniciativa Belt and Road shihet nga ana e shteteve perëndimore por edhe nga vet shtete të cilat kanë qenë pjesë e saj sikurse Lituania apo Mali i Zi, si një investim me rreng politik dhe se synimi i tyre nuk është thjeshtë ofrimi i investimeve për shtetet të cilat kanë nevojë për investime në infrastrukturë. Synimi kinez duket se shkon përtej synimeve të proklamuara fisnike deri në nënshtrimin e vullnetit politik dhe të pavarësisë së shteteve të cilat krijojnë një varësi ndaj borxhit kinez dhe kështu mund të rrëshqasin politikisht në kthetrat e politikave të cilat në planin afatgjatë dhe strategjik mund t’i dëmtojë ato. Kështu, Lituania ishte larguar nga iniciativa Belt e Road në Evropën Lindore këtë vit pas kushtëzimeve kineze në politikat e saj me Tajvanin dhe haptazi kishte kërkuar nga BE që të formulojë politika të qarta që t’i kundërvihet iniciativës kineze. Ngjashëm edhe Mali i Zi ishte shumë i cenueshëm karshi Kinës duke marrë parasysh që kontratat miliardësh në infrastrukturë duket se nuk arriti t’i dilte zot dhe kishte filluar të kërkojë ndihmën e BE-së për të tejkaluar këtë situatë. Karakteristikë e qasjes kineze në këtë drejtim është se Kina huazimin fillimisht e bënë në mënyrë fare të thjeshtë, pa kushtëzime të rëndësishme duke u përpjekur që sa më shumë të zgjerojë aktivitetin e saj, ndërsa kushtëzimet politike do të vinin më vonë e sidomos kur shtetet eventualisht do të mund të binin në pamundësi të kthimit të kësteve të përcaktuara në kontratë si rezultat i rrethanave të ndryshme. Këto shtete janë më të cenueshme dhe rrjedhimisht shumë lehtë mund të bien nën presionin kinez për të rreshtuar politikat e tyre në pajtim me ato kineze.

Për dallim nga Road and Belt, dy iniciativat e SHBA-ve dhe BE-së kanë për synim një zhvillim të qëndrueshëm të shteteve në pajtim me parimet e zhvillimit demokratik të një shtetit. Rrjedhimisht, këto investime do të bëhen së pari në rastet kur projektet janë të detajuara mirë duke marrë parasysh edhe aftësinë reale të shtetit për kthimin e mjeteve por në radhë të dytë ato do të kushtëzohen me masa tjera që hyjnë në domenin e zhvillimit të demokracisë si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut etj. të gjitha këto të neglizhuar, jo gjithmonë haptasi nga Road and Belt. Por, në të njëjtën kohë politikat e kushtëzimit me reforma demokratike duke që do të jetë pika më sfiduese e B3W dhe Global Gateway pasi që regjimet autokratike, diktatoriale e të ngjashme nuk pritet që të hyjnë në aranzhmane të tilla dhe kjo kryekëput për shkaqe personale të mbrojtjes së regjimit të tyre dhe të një elite politike të korruptuar. Megjithatë, B3W dhe Global Gateway do të luajnë rol të rëndësishëm në ofrimin e ndihmës financiare për shtetet në tranzicion demokratik politik dhe ekonomik të cilat do të mund të llogarisin në shtetet më të zhvilluara për të tejkaluar sa më shpejt tranzicionin e tyre. Këto janë shtetet të cilat janë të cenueshme nga joshja kineze për t’u furnizuar me paratë shumë të nevojshme, sidomos në një kohë pos pandemie ku shtetet më të goditura janë ato me zhvillim të ulët dhe të mesëm.

Parimet të cilat do t’i udhëheqin këto dy iniciativa janë: udhëheqja nga vlera transparente të cilat do të ndikojnë në një zhvillim të qëndrueshëm financiar, social dhe ambiental; qeverisja e mirë dhe standarde të forta; miqësor me ambientin; partneritet të fortë strategjik; mobilizimi i kapitalit privat përmes financimit zhvillimor; nxitja e ndikimit të financimit publik multilateral. Në fjalimin e saj në paraqitjen e iniciativës Global Gateway Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen kishte theksuar se “Ne dëshirojmë që të krijojmë lidhje dhe jo varësi”. Shënjestra kryesore e këtyre iniciativave do të jetë Afrika dhe Amerika Latine por në të njëjtën kohë edhe vendet e Evropës Lindore do të zënë vendin e tyre të rëndësishëm. Si edhe me rastet tjera, këtu kërkohet veprim i ndërsjellë për të vjelë frutat e këtyre fondeve të rëndësishme të cilat do të vihen në dispozicion të shteteve. Shtetet duhet të përgatiten me projekte konkrete për financim dhe bashkërisht administruesit e fondeve të detajojnë kushtet e financimit. Do të ketë konkurrencë në vjeljen e këtyre fondeve ashtu që qeveritë më pro aktive të arrijnë të marrin më shumë. Andaj edhe për Kosovën është e rëndësishme që këto iniciativa të njihen dhe të ketë plane konkrete me kohë që t’i prezantojë ato para partnerëve strategjikë për financim.

Besfort Rrecaj, Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Fakulteti Juridik-UP