Shumëkush që ka udhëtuar me fluturime të gjata e njeh mirë vështirësinë për të fjetur në orare normale pas kthimit në shtëpi. Por kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Shkencëtarë nga Universiteti Kanazawa në Japoni kanë zhvilluar një ilaç eksperimental që mund të “rivendosë” përpara orën biologjike të trupit, duke lehtësuar ndjeshëm efektet e jet lag-ut. Përbërësi, i quajtur Mic-628, vepron duke aktivizuar një gjen të quajtur Per1, i cili luan rol kyç në rregullimin e ritmit cirkadian – ciklin natyror gjumë–zgjim të organizmit.
Në testet laboratorike te minjtë, një dozë e vetme orale e Mic-628 uli kohën e nevojshme për përshtatjen e orës së brendshme nga shtatë ditë në vetëm katër. Sipas studiuesve, kjo tregon se substanca mund të shërbejë si një “ilaç inteligjent” për menaxhimin e jet lag-ut ose çrregullimeve të gjumit te personat që punojnë me turne.
Ekspertët vlerësojnë se kjo qasje mund të jetë më efektive sesa metodat aktuale, si terapia me dritë apo përdorimi i melatoninës.
Studimi vjen në vazhdën e kërkimeve të tjera që tregojnë se jet lag-u është më i rëndë kur udhëtohet drejt lindjes dhe se të rinjtë e përjetojnë më fort krahasuar me personat në të 60-at. Edhe pse kohëzgjatja e gjumit rikuperohet relativisht shpejt, përshtatja e orarit të gjumit kërkon më shumë kohë kur kapërcehen zona kohore.
Duke shkruar në revistën shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), autorët theksojnë se fluturimet nga perëndimi në lindje janë më shqetësuese për trupin, pasi kërkojnë “përparim” të orës biologjike. Aktivizimi i kontrolluar i gjenit Per1, sipas tyre, hap rrugën për trajtime të reja të çrregullimeve të ritmit cirkadian te njerëzit.
Ekipi shkencor ka bërë të ditur se do të vijojë testimet për sigurinë dhe efektivitetin e ilaçit, fillimisht te kafshët dhe më pas te njerëzit.
Ndërkohë, studime të tjera sugjerojnë edhe zgjidhje më të thjeshta. Një kërkim i publikuar në vitin 2023 nga Universiteti Northwestern në SHBA sugjeron se një mëngjes i bollshëm dhe shmangia e darkës në ditët e para të udhëtimit mund të ndihmojë në mposhtjen e jet lag-ut. Sipas modelit të tyre matematikor, kjo strategji mund të përshpejtojë rikuperimin deri në tre ditë.
Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten më shumë prova te njerëzit përpara se këto këshilla të rekomandohen gjerësisht. /GazetaExpress/