string(72) "fundi-i-pasaportave-te-arta-be-ndalon-perfundimisht-shitjen-e-shtetesise"

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 7:14

Fundi i ‘pasaportave të arta’, BE ndalon përfundimisht shitjen e shtetësisë

Lajme

Gazeta Express

07/05/2025 7:14

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka ndaluar përfundimisht dhënien e të ashtuquajturave “pasaporta të arta”, duke i dhënë fund një praktike që lejonte investitorët e huaj të blinin shtetësinë në vendet anëtare të BE-së.

Vendimi i gjykatës i jep fund programit të fundit aktiv të këtij lloji, atij të Maltës, e cila deri tani ishte shteti i vetëm në BE që vijonte me një skemë të tillë. Programe të ngjashme në Qipro dhe Bullgari ishin ndërprerë më herët.

Sipas gjykatës, këto praktika e shndërrojnë shtetësinë në një transaksion tregtar dhe cenojnë lidhjen ligjore e morale mes qytetarit dhe shtetit. Gjykata theksoi se një marrëdhënie e tillë duhet të bazohet në solidaritet, vullnet të mirë dhe lidhje reale me vendin përkatës – jo vetëm në investime financiare.

Aktivistë të shoqërisë civile në Maltë, përfshirë blogerin antikorrupsion Manuel Delia, e kanë mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një fitore për vlerat evropiane. Delia, bashkëpunëtor i ngushtë i gazetares së ndjerë Daphne Caruana Galizia, kishte luftuar prej më shumë se një dekade kundër këtij programi, duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe rreziqet e përfshirjes së individëve të dyshimtë në listat e shtetasve të rinj, përcjell albinfo.ch.

Komisioni Evropian kishte nisur procedura ligjore ndaj Maltës që në vitin 2022, duke argumentuar se shtetësia e BE-së nuk mund të jepet thjesht në këmbim të investimeve. Sipas të dhënave, shumë nga aplikantët nuk plotësonin kushtin e qëndrimit real në territorin maltez.

Ky vendim pritet të shërbejë si precedent për ndalimin e çdo përpjekjeje të ardhshme nga vendet anëtare për të ringjallur praktika të ngjashme, duke mbrojtur kështu integritetin e shtetësisë evropiane.