Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte më 11 mars ishte për një vizitë në Kosovë. Nga Prishtina, ai kishte folur për “rolin humanitar” të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila sot është parë në veri. Atje, FSK-ja shkoi për kërkimin e trupit të një mërgimtari 33 vjeç, i cili të dielën ishte hedhur nga ura e liqenit artificial të Ujamnit, duke mos dalë më.
I pyetur nëse ka ndryshuar qasja e NATO-s lidhur me tranzicionin e FSK-së, Rutte deklaronte se NATO sigurohet që FSK-ja të jetë efektive “si forcë humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore”.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Kështu është saktësisht mandati i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore. Ky është mandati, në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, shprehej ai në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit që kishin në Presidencë.
Osmani e pati marrë fjalën më pas, për të thënë se vështirësia për t’u anëtarësuar në NATO “nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë”.
“Kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve mes NATO-s dhe FSK-së në një çështje jashtëzakonisht komplekse. Megjithatë kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Republikën e Kosovës si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit. Përveç kësaj, ne kemi gjetur mënyra të tjera për ta avancuar rolin e FSK-së dhe kontributin e saj për paqe dhe sigrui në vende të tjera përreth globit nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh, të cilat i kemi me shtetet anëtare veç e veç”, thoshte ajo, pasi kujtonte se katër shtete anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën.
Ajo përmendte një shkëmbim letrash “para shumë vitesh” ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe ish Sekretarit të Përgjithshëm që “ka të bëjë me rritjen e nivelit operacional të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe FSK-së”.
“Dhe ne do të punojmë së bashku për të parë se si është mënyra më e mirë që kjo të funksionojë në praktikë, duke mos harruar që, të gjithë ushtarët e Kosovës janë trajnuar pikërisht nga shtetet anëtare të NATO-s dhe nga vetë NATO-ja për trajnime të caktuara dhe funksionojnë në përputhje të plotë me standardet e NATO-s”, thoshte Osmani.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...