Autorizimin e komandantit të KFOR-it për ta lejuar FSK-në që të shkojë në veri të martën për kërkimin e trupit të një burri në liqenin e Ujmanit në veriun e populluar me shumicë serbe, partia e Albin Kurtit u angazhua gjatë tërë ditës që ta paraqiste si meritë të LVV-së. Kjo nuk kaloi pa një reagim të ashpër të disa prej ambasadave të shteteve kryesore perëndimore në Kosovë, që evidentuan hapur manipulimin që partia në pushtet ia bëri kësaj çështjeje.
Gazeta Express
Lëvizja Vetëvendosje pa mundësi të mirë për ta politizuar një operacion kërkim-shpëtimi të martën për gjetjen e trupit të një mërgimtari 33-vjeçar në liqenin artificial të Ujamnit në Zubin Potok, në veri të vendit.
“FSK në veri”, shkroi në Facebook zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka në 9 të mëngjesit, duke shpërndarë një video ku shiheshin automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës pranë liqenit.
Pas komenteve të para online për politizimin e këtij rasti të rëndë, partia e Albin Kurtit, që në raste të panumërta gjatë mandatit është përpjekur të përfitojë politikisht më së shumti nga situata në veri, FSK-ja dhe çështje tjera të sigurisë, reagoi sërish në drekë.
“Tragjedia është fatkeqësi. Ekipet e FSK-së janë aty pikërisht për shkak të saj. Por fakti që për herë të parë Ushtria e Kosovës shkon në atë pjesë është ngjarje historike dhe si e tillë duhet të shënohet. Është tjetër gjë që Policia dhe Ushtria, për nga natyra e misionit të tyre, angazhohen kryesisht në ngjarje të rënda, jo në festa. Po të ndjekim logjikën e portaleve që e quajnë këtë “shfrytëzim”, atëherë s’do kishte kuptim as krenaria që ndjejmë për çdo akt heroik në historinë tonë”, shkroi Manxhuka në një postim tjetër.
Angazhimi i LVV-së për ta imponuar dhe për ta çuar në destinacion përceptimin se angazhimi i FSK-së në këtë operacion ishte meritë e partisë vazhdoi gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë, KFOR-i njoftoi se komandanti Enrico Barduani e kishte dhënë autorizimin për dislokimin e ekipeve të FSK-së për kërkim-shpëtim te liqeni i Ujmanit.
“Autorizimi u dha në përputhje të plotë me kompetencat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për t’i maksimizuar përpjekjet në vazhdim për ta gjetur një burrë 33-vjeçar që raportohet se ka hyrë në liqe disa ditë më parë. Autorizimi është kushtëzuar me kërkesa specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të ofrojë sigurinë gjatë gjithë operacionit”, thuhet në njoftimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
KFOR-i përmendi se angazhimi i FSK-së në rastet e fatkeqësive natyrore është brenda mandatit të saj.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte pati folur për “rolin humanitar” të FSK-së gjatë një vizite në Kosovë më 11 mars.
I pyetur nëse kishte ndryshuar qasja e NATO-s lidhur me tranzicionin e FSK-së, Rutte deklaronte se NATO sigurohet që FSK-ja të jetë efektive “si forcë humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore”.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Kështu është saktësisht mandati i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore. Ky është mandati, në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, shprehej ai në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit që kishin në Presidencë.
Forca e Kosovës që është në proces të transformimit në një ushtri profesioniste – sipas një plani 10-vjeçar që parashihet të përfundojë në vitin 2028 – e cila synon të anëtarësohet në NATO, dha lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit. “FSK-ja gjen trupin e pajetë të personit të zhdukur”, u shkrua në krye të njoftimit.
Megjithëse ish-kolonelë të Forcës së Sigurisë së Kosovës thanë se nuk ishte hera e parë që FSK-ja kryen operacione në veri, në LVV insistuan se kjo s’kishte ndodhur kurrë më parë.
Ish-deputeti i LVV-së, Enver Dugolli tha të martën në Frontal në T7 se në të kaluarën FSK-ja kishte shkuar në veri “më ndryshe”.
“Në të kaluarën, po është e vërtetë që ka marrë pjesë në dy operacione më duket, por ka qenë paksa më ndryshe. Nuk është lejuar të marrë pjesë me uniformë, me pajisje dhe emblema zyrtare, madje s’është lejuar të marrë pjesë as me automjete zyrtare”.
Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci, e përshkroi mbrëmë si arritje të partisë prezencën e FSK-së në veri.
“Arritëm ta dërgojmë FSK-në në atë pjesë të vendit. Dhe është diçka për t’u lavdëruar”, tha ajo në Kanal10.
Reagimi ndërkombëtar: Mos manipuloni
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë shprehu shqetësim të thellë nga përpjekjet e LVV-së për ta politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së në liqenin e Ujmanit.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, tha Ambasada gjermane në një reagim të ashpër.
Kjo ambasadë tha se deklaratat e akterëve politikë se ky mision i FSK-së ishte “i pari në veri të Kosovës”, vetëm se e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet mes tjerash në reagimin. Kjo pjesë i referohej publikimit të dy fotografive në rrjetet sociale, ku në njërën, të postuar nga LVV-ja, shihen automjete të FSK-së dhe KFOR-it, ndërsa në tjetrën vetëm ato të FSK-së.
Ambasadori i Francës në Kosovë reagoi gjithashtu, duke përmendur dezinformimin dhe manipulimin e LVV-së, që tha se “po bëhen sistematike”.
“Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë ta mbështesë plotësisht, sidomos në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, shkroi Olivier Guerot mbrëmë në X.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë e vlerësoi sot “koordinimin pozitiv” mes misionit të KFOR-it dhe FSK-së në operacionin e djeshëm të kërkim-shpëtimit.
Në një deklaratë të ambasadës u theksua se koordinimi erdhi “pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it që FSK të dislokojë ekipe të Kërkim-Shpëtimit për qëllimin specifik të ndihmës në rastin tragjik”.
Operacioni, dëshmoi aftësi të shkëlqyera të FSK-së në kërkim-shpëtim, tha ambasada britanike, duke përmendur se bashkëpunimi me KFOR-in ishte nb përputhje me marrëveshjet e mëhershme.
“Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është thelbësor për suksesin e këtij misioni”, thuhet në reagim.
Si në rastin e djeshëm, dislokimi i trupave të KFOR-it në veri të vendit është i mundur vetëm me autorizim paraprak të KFOR-it, bazuar në një zotim të vitit 2013 që kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi ia kishte dhënë shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Dhe kjo mbetet në fuqi edhe sot.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...