FSK në Veri me leje të KFOR-it, reagime të ashpra nga Gjermania e Franca ndaj keqinterpretimeve të VV-së - Gazeta Express
string(103) "fsk-ne-veri-me-leje-te-kfor-it-reagime-te-ashpra-nga-gjermania-e-franca-ndaj-keqinterpretimeve-te-vv-se"

Lajme

Gazeta Express

30/07/2025 7:10

FSK në Veri me leje të KFOR-it, reagime të ashpra nga Gjermania e Franca ndaj keqinterpretimeve të VV-së

Lajme

Gazeta Express

30/07/2025 7:10

Ndërhyrja e djeshme FSK-së në veri për një mision humanitar është kthyer në një moment tensioni diplomatik dhe politik. Reagimet e ashpra nga Gjermania dhe Franca theksojnë rëndësinë e transparencës, bashkëpunimit institucional dhe mospolitizimit të fatkeqësive, ndërkohë që autoritetet në Kosovë vazhdojnë të përplasen për mënyrën e paraqitjes së këtij operacioni.

FSK-ja, me autorizim të plotë të Komandantit të KFOR-it dhe në bashkëpunim të ngushtë me këtë të fundit, zbarkoi në veri të Kosovës për një operacion kërkim-shpëtimi. Por përkundër natyrës humanitare të këtij angazhimi, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje e paraqitën operacionin si një “zbarkim të parë të FSK-së në veri” – diçka që, sipas reagimeve ndërkombëtare, bie ndesh me të vërtetën dhe dëmton frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ambasada Gjermane në Prishtinë reagoi ashpër ndaj përpjekjes për të politizuar një tragjedi dhe për të shfrytëzuar për qëllime politike një aksion humanitar. Në një komunikatë për media, Ambasada theksoi se vendosja e ekipit të FSK-së në liqen u bë me miratim të KFOR-it dhe ishte tërësisht në përputhje me mandatin e tij.

“Keqinterpretimi i këtij operacioni si ‘zbarkimi i parë’ i FSK-së në veri është i rrezikshëm dhe mashtrues. Po aq shqetësuese janë edhe pretendimet për manipulime të imazheve – duke hequr elementët e dukshëm të pranishëm të KFOR-it – për të ndërtuar një narrativë të pavërtetë,” thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ajo paralajmëroi se veprime të tilla cenojnë besimin publik dhe shpërqendrojnë vëmendjen nga qëllimi i vërtetë i misionit: ndihma humanitare dhe respektimi i dinjitetit të viktimës.

Në të njëjtën linjë me qëndrimin e Ambasadës Gjermane, ka qenë edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i cili përmes një reagimi në platformën “X” dënoi manipulimin e informacionit dhe mbështeti fuqimisht KFOR-in.

“Manipulimi i informacionit po bëhet sistematik. KFOR-i ka një rol të pazëvendësueshëm në sigurinë e rajonit, dhe meriton respekt të plotë. Mbështetja jonë për të do të vazhdojë,” ka shkruar Guerot, duke përgëzuar edhe mediat që, sipas tij, raportuan me saktësi rolin e KFOR-it në këtë mision.

Pas reagimeve të misioneve diplomatike, nuk vonoi kundërpërgjigjja nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka, përmes një postimi në Facebook, i mohoi akuzat për manipulim të fotografive apo përpjekje për propagandë.

“Vet lajmi për manipulimin e fotografisë nga ana e VV-së është fake, nëse çka duhet ju ka vendosur në lajthitje edhe vet juve,” shkroi ai, duke shtuar se reagimet ndërkombëtare duhet të bazohen në fakte dhe jo në, siç i quajti ai, “lajme të rreme”.