FSHF-ja thyen rekorde të reja, investoi 8.5 milionë euro në infrastrukturë - Gazeta Express
string(73) "fshf-ja-thyen-rekorde-te-reja-investoi-8-5-milione-euro-ne-infrastrukture"

Sport

Gazeta Express

29/06/2025 16:13

FSHF-ja thyen rekorde të reja, investoi 8.5 milionë euro në infrastrukturë

Sport

Gazeta Express

29/06/2025 16:13

Federata Shqiptare e Futbollit ka realizuar gjatë këtij sezoni një nga programet më të mëdha të investimeve në infrastrukturën sportive, me një total prej afro 8.5 milionë eurosh të shpenzuara në projekte të ndryshme në të gjithë vendin.

Fondi është përqendruar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e stadiumeve, ndërtimin e fushave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, si dhe në ndërhyrje të rëndësishme të kryera në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian UEFA U-17, i cili u zhvillua në Shqipëri në maj dhe qershor të vitit 2025.

Ndër projektet kryesore ku është investuar përmenden stadiumi “Egnatia” në Rrogozhinë, stadiumi i Vorës, stadiumi i Besës në Kavajë, si dhe stadiumet në Gramsh dhe Përmet. Gjithashtu janë kryer rikonstruksione të fushave sportive në Elbasan, në kompleksin “Shefqet Lamçja”, si dhe në qytetet e Korçës, Krujës, Gjirokastrës dhe Durrësit.

Në kuadër të projektit “100 fushat”, këtë sezon janë ndërtuar dy fusha të reja në ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe është inauguruar fusha stërvitore e kompleksit “Dinamo City” në Arbanë. Janë realizuar gjithashtu disa projekte me karakter social, si në mbështetje të nismës “Fundjavë Ndryshe” dhe në Famullinë “Shna Prenda” në Shkodër.

Është inauguruar edhe fusha e re në bashkëpunim me akademinë “Soccer Star” në zonën e Shtojit në Shkodër, ndërsa janë në proces ndërtimi fusha të reja në Gjirokastër, Prrenjas dhe Librazhd.

Nga totali prej afro 8.5 milionë eurosh të investuara, mbi 6.2 milionë janë financuar drejtpërdrejt nga FSHF, ndërsa pjesa tjetër është realizuar në bashkëpunim me partnerët strategjikë të federatës.