Frustrime militanteske - Gazeta Express
string(22) "frustrime-militanteske"

OP/ED

Gazeta Express

20/05/2021 17:06

Frustrime militanteske

OP/ED

Gazeta Express

20/05/2021 17:06

Në vend që të nervozohen e frustrohen me qasjen e Qeverisë Kurti për veprime e vendime ndryshe nga ato që Vetëvendosja proklamonte sa ishte në opozitë, militantët shajnë e fyejnë kritikë që konstatojnë shkelje parimesh e standarde të dyfishta. Për ta, Albin Kurti është i pagabueshëm.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Albin Kurti është më i miri në botë. Ai është i pagabueshëm dhe, pa marrë parasysh çfarë bën, ai gjithçka bën mirë. Ai është më i mençuri prej të mençurve dhe më i dituri prej të diturve. Punë e madhe që dikur ka thënë diçka, e tash krejt diçka tjetër. Atij krejt i falen, sepse është njëfarë njeriu i shenjtë që ekziston për të na shpëtuar nga të këqijat.

Kështu disi tingëllojnë militantët e Vetëvendosjes e të Albin Kurtit, teksa përpiqen me çdo kusht ta mbrojnë nga kushdo e çkado liderin e tyre. Gjuha e përdorur nga ta në rrjete sociale është gjuhë fyese, degraduese e linçuese ndaj të gjithë kritikëve. Për më tepër, kritikët ndaj qeverisjes së Kurtit mbështetësit e tij i lidhin menjëherë me qeveritë e mëparshme, duke i quajtur shërbëtorë të tyre e të paguar nga ta.

Në gati dy muaj qeverisje të Kurtit, militantët janë treguar fort aktivë në përpjekjet për të mbrojtur kryeministrin nga çfarëdo kritike që ka nxjerrë dikush nga goja. Konformistë të pashoq, ata “me sëpatë në krah” i janë vërsulur secilit e secilës që ka “guxuar” të ketë qëndrim ndryshe nga kryeministri ose nga anëtarët e kabinetit qeveritar sepse, sipas tyre gjithnjë, ata janë më të mirët, më profesionistët, më të zotët.

Pa u thelluar fare në analizë dhe pa dashur të dëgjojnë argumente logjike, ata arsyetuan pa pikë problemi turmat e njerëzve të moshuar që pritnin për t’u vaksinuar në Prishtinë. Për më tepër, thurën teori konspirative se turmat ishin nxitur nga ish-partitë që kanë qenë në pushtet, vetëm për t’ia prishur “imazhin e mirë” Kurtit dhe qeverisë së tij.

Pa u thelluar fare në analizë dhe pa lexuar argument të tjera, militantët nuk ngurruan që deklaratat e Kurtit pas darkës së Brukselit t’i vlerësojnë si më të mirat, më përmbajtësoret dhe më të veçantat që kishte bërë ndonjë lider ndonjëherë në historinë e re të Kosovës.

Pra, mjafton që Albin Kurti të hap gojën, të thotë diçka dhe, pa e përfunduar ai mirë fjalinë, militantët ekzaltohen në mënyrë të papërmbajtshme. Sepse, sipas tyre, ai është më i miri, më i dituri, i pagabueshmi, vizionari.

* * *

Në dy muaj të qeverisjes, Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë dhënë prova të mjaftueshme se nuk janë ata të kohës së opozitës. Përderisa kur Vetëvendosje ishte në opozitë edhe çdo emërim partiak, ashtu si dhe punësimet, i konsideronte nepotizëm, tash nuk është ashtu. Emërimet politike tash po dalin të jenë në rregull. Natyrisht, kjo logjikë mbështetet edhe nga militantët.

Siç po mbështetet nga ta edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, pavarësisht se ndër vite Vetëvendosja kishte kundërshtuar këtë proces, kishte kundërshtuar takimet e liderëve politikë të Kosovës me ata të Serbisë, kishte protestuar e ndërmarrë veprime të tjera po ashtu.

Me plot të drejtë mund të zhgënjehen ata militantë të flaktë, të cilët kishin besuar verbërisht se Albin Kurti nuk do të bëhej kurrë pjesë e dialogut me Serbinë, do ta refuzonte atë. Ata militantë që te Kurti shohin njeriun që mban fjalën, që nuk është “si të tjerët”, që sfidon këdo dhe gjithçka.

Kur nuk kanë argumente që të mbrojnë liderin, militantët përpiqen që të gjithë kritikët t’i lidhin në çfarëdo mënyre me partitë që kanë qenë në pushtet. Sipas tyre, ata që po e kritikojnë tash Kurtin po e bëjnë këtë prej inatit dhe janë të njëjtit që asnjëherë nuk i kanë kritikuar partitë “e regjimit të vjetër”.

Pra, militantët nuk duan të sjellin ndërmend se një numër jo i vogël gazetarësh e opinionistësh vazhdimisht ka pasur qasje kritike ndaj veprimeve të dëmshme të të gjitha qeverisve të kaluara. Madje kanë organizuar edhe protesta në rrugë.

Pra, militantët nuk po shprehen të frustruar ndaj ndryshimit të parimeve të Albin Kurtit e Vetëvendosjes, por ndaj atyre që kritikojnë këto standarde të dyfishta. Sepse, sipas tyre, lideri nuk mund të gabojë, por fajet i kanë kritikët “e shitur” që po përpiqen ta nxijnë imazhin e tij.

* * *

Përpjekja për relativizim të gjithçkaje që nuk e bën mirë Albin Kurti e Vetëvendosja është qasje e gabueshme. Militantë, mbështetës e simpatizantë të Kurtit duhet ta kuptojnë që nuk është njësoj si të jesh në opozitë, si në pushtet. Ata duhet të mësohen me “transformimin“ e liderit të tyre në një politikan normal.

Është e vërtetë se Kurti nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet për dy muaj qeverisje por, po ashtu, është e vërtetë se pak më shumë racionalitet në diskurs, veprime e vendime iu bën mirë të gjithëve. Vetë Kurtit së pari.