Hetimi zbulon pretendime për dëmtime në tru, sulme në zemër dhe vdekje mes ekuipazheve
Po shtohen shqetësimet se ajri i ndotur brenda kabinave të avionëve komercialë mund të jetë shkaktar i sëmundjeve fatale, pasi një hetim i gjerë ka zbuluar pretendime që e lidhin ekspozimin ndaj avujve toksikë me dëmtime neurologjike, infarkte dhe vetëvrasje mes pilotëve dhe ekuipazhit të fluturimit.
Familjarët e viktimave thonë se ekspozimi ndaj të ashtuquajturave “fume events” – momente kur vaji i nxehur i motorit ose lëngje të tjera rrjedhin në sistemin e ajrit të kabinës – ka lënë persona më parë të shëndetshëm të sëmurë rëndë ose të vdekur.
Industria e aviacionit i kundërshton fuqishëm këto akuza, duke këmbëngulur se ajri në kabinat e avionëve është i sigurt dhe përmbush standardet shëndetësore.
Gazetarët që hetuan çështjen gjetën dhjetëra raste ku anëtarë ekuipazhi raportuan simptoma të papritura neurologjike, kardiake dhe psikiatrike pas ekspozimit ndaj avujve me erë “si çorape të pista” ose vaj i djegur.
Familjet cituan autopsi, dokumente mjekësore dhe studime mbi vdekshmërinë, duke besuar se ajri toksik ishte shkaktari i përkeqësimeve dramatike shëndetësore.
Ndërsa është e pranuar gjerësisht se “fume events” ndodhin, mbetet e diskutueshme nëse ato mund të shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundje afatgjata ose vdekje.
Disa ekspertë bien dakord se mungojnë prova përfundimtare, por theksojnë se kjo mund të lidhet edhe me faktin se linjat ajrore kanë refuzuar instalimin e sistemeve të monitorimit të cilësisë së ajrit, duke e bërë të vështirë matjen e ekspozimit real.
Rasti i pilotit Ron Weiland
Një nga rastet më tronditëse është ai i Ron Weiland, pilot i American Airlines, 54 vjeç, i përshkruar si plotësisht i shëndetshëm para rënies së tij të shpejtë.

Sipas hetimit të publikuar nga Wall Street Journal, në vitin 2016 bashkëshortja e tij vuri re se ai po humbiste goditje të thjeshta në tenis dhe i belbëzonte fjalët pas vetëm një pijeje.
Shpejt ai nuk ishte më në gjendje të bënte njoftime rutinë për pasagjerët, çka i dha fund karrierës së tij si pilot.
Në qershor 2017, Weiland u diagnostikua me sklerozë laterale amiotrofike (ALS) – forma më e zakonshme e sëmundjes së neuroneve motorike. Ai vdiq më pak se dy vjet më vonë.
Familja e tij beson se ekspozimi ndaj ajrit toksik në avion ishte shkaktari i sëmundjes.
Dy muaj para përkeqësimit të simptomave, ai kishte ndërprerë një fluturim pasi ndjeu një erë të fortë vaji motori gjatë lëvizjes në pistë me avionin Boeing 767 në aeroportin e Miamit.
Më vonë, gjatë testimeve të motorëve në mirëmbajtje, kabina u mbush me mjegull aq të dendur, sa ai mezi shihte rreshtat e parë të sediljeve.
Edhe pse avokatët e tij pranuan faktorë të tjerë rreziku – përfshirë histori familjare dhe një mutacion gjenetik – ata argumentuan se ngjarja me avujt ishte shkaktari vendimtar.
Linja ajrore i mohoi pretendimet, por e mbylli çështjen në vitin 2022 me një marrëveshje financiare, shuma e së cilës nuk u bë publike.
Rasti i James Anderberg
Një tjetër rast përfshin James Anderberg, 53 vjeç, pilot i Spirit Airlines, i ekspozuar ndaj avujve në një Airbus A319 në vitin 2015.
Pas raportimeve të përsëritura për erën e “çorapeve të pista”, të cilat u injoruan, avujt u rikthyen gjatë uljes në Boston. Bashkëpiloti deklaroi më vonë se pa maska oksigjeni, të gjithë në bord mund të kishin vdekur.
Të dy pilotët përfunduan të shtrirë në shtrat me të vjella, dridhje dhe diarre. Gjendja e Anderbergut u përkeqësua me shpejtësi.


Kolegët vunë re probleme serioze koordinimi. Pesëdhjetë ditë pas ekspozimit, ai pësoi një infarkt fatal, ndërsa mbahej i lidhur nga policia pas një sjelljeje të çrregullt.
Autopsia zbuloi inflamacion të zemrës dhe nivele të larta qetësuesish, por mjeku ligjor e cilësoi shkakun e vdekjes si të papërcaktuar, duke thënë se roli i avujve toksikë nuk mund të konfirmohej dhe as të përjashtohej.
Një studim i cituar në hetim përshkruan një model dëmtimi kardiak nga kimikate të pranishme në vajin e djegur të motorëve, i cili përputhej ngushtë me gjetjet pas vdekjes së Anderbergut.
Dyshime për lidhje me depresionin dhe vetëvrasjet
Hetimi shqyrtoi gjithashtu vdekjen e Matthew Bass, 34 vjeç, stjuard i British Airways, familja e të cilit beson se avujt toksikë kontribuuan në vdekjen e tij të papritur nga një sëmundje e zemrës.
Autopsia tregoi inflamacion në sistemin nervor dhe në muskujt e zemrës, gjetje të ngjashme me raste të tjera, përfshirë pilotin Richard Westgate, i cili vdiq në moshën 43-vjeçare.
Megjithatë, një hetim zyrtar përmendi nivel të lartë alkooli në gjak dhe deklaroi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të lidhur vdekjen me ekspozimin ndaj avujve.
Hetimi ngriti gjithashtu pretendime për një lidhje mes ajrit toksik, depresionit dhe vetëvrasjes.
Një pilot i JetBlue tha se vuri re shtim të erës karakteristike rreth së njëjtës kohë kur kolegët filluan të kryenin vetëvrasje. Një studim aktuarial i porositur prej tij sugjeroi se norma e vetëvrasjeve tek pilotët e kompanisë ishte dyfish më e lartë se ajo e popullatës së përgjithshme.
Ekspertët shpjegojnë se dëmtimet neurologjike në lobet frontale të trurit mund të ndikojnë në kontrollin e impulseve, humorin dhe gjykimin, duke rritur rrezikun e depresionit dhe vetëdëmtimit.
Qëndrimi i industrisë së aviacionit
Linjat ajrore pranojnë se “fume events” ndodhin, por këmbëngulin se nivelet e ndotjes janë të ulëta dhe se avionët përmbushin standardet e sigurisë.
Prodhues si Boeing dhe Airbus thonë se dizajni i avionëve është miratuar prej dekadash nga rregullatorët dhe se ajri në kabina është i sigurt.
Boeing deklaroi se siguria është prioritet absolut dhe se kompania ka një histori të gjatë kërkimesh dhe bashkëpunimesh për vlerësimin e cilësisë së ajrit, teknologjitë e filtrimit dhe standardet përkatëse.
“Ajri në kabinat e avionëve Boeing është i sigurt,” tha kompania, duke shtuar se “asnjë ambient i brendshëm nuk është plotësisht i lirë nga ndotësit”.
Sipas saj, studime të shumta nga universitete, agjenci qeveritare dhe studiues të pavarur kanë treguar vazhdimisht se nivelet e ndotësve në avionë janë përgjithësisht të ulëta dhe brenda kufijve të sigurisë shëndetësore. /GazetaExpress/