Frika nga Elvis Naçi e bën Ramën “mysliman”


Gazeta Express
2 Dhjetor 2019 17:14

Në këto ditë të rënda që po i përjeton Shqipëria për shkak të tërmetit që goditi atje, Edi Rama e ka humbur komplet busullën. Ai po i bindet vetëm një njeriu, hoxhës Elvis Naçi i cili njihet për influencën në mesin e shqiptarëve myslimanë.

Shefi i qeverisë shqiptare publikisht po përpiqet të prezantohet si politikani që po e përballon i vetëm krizën në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm që mori jetën e mbi 50 personave, që plagosi shumë të tjerë dhe që e bëri pothuajse krejt të pabanueshëm Durrësin dhe rrethinën e tij. Rama gati të gjitha lëvizjet po i bën i përcjellë nga kamera pamjet e së cilës po i transmeton live në Facebook. Ai në mënyrë arrogante ka përndjekur zëvendësin e tij Erjon Braçe, të cilit ia tha troç që të mos i shkojë prapa. Nuk po tregohet i matur as me banorët që kanë lënë shtëpitë duke mos hezituar të lëshohet edhe në argumentime me zë të lartë me ata që po i thonë se kanë frikë të futen në shtëpitë e tyre. Rama me tone qortuese po u thotë që rreziku ka kaluar nga tërmeti. Mediave u ka shpallur luftë duke paralajmëruar “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’jua rrok imagjinata!”

Me një fytyrë tjetër po u prezantohet karshi atyre që po arrijnë të gjejnë para për rimëkëmbjen e Durrësit. Ka çuar në qiell Behgjet Pacollin duke iu drejtuar “rrofsh sa malet ti dhe familja, o Behgjet Pacolli”. Pastaj në një intervistë për mediat turke ka lartësuar presidentin e Turqisë, i cili premtoi se do të ndërtojë 500 njësi banimi për qytetarët shqiptarë që u prekën nga fatkeqësia natyrore.

Por, dikujt tjetër Rama ia ka lëshuar udhën.

Duke e parë që shteti që e drejton “nuk e ka edhe një qen të vetëm për kërkim-shpëtim”, siç u tha nga komentuesit në rrjetet sociale, dhe që “vendin e shtetit social e ka zënë Elvis Naçi”, figura e vetme të cilit i është dorëzuar Rama, është pikërisht hoxha që në opinion njihet për predikimet në rrjetet sociale, influencë në komunitetin mysliman, për bamirësi dhe për faktin që kohëve të fundit ka blerë një spital në vlerë prej 300 mijë eurosh.

Me Naçin Rama ka dalë në terren për t’i takuar shqiptarët e trishtuar, por duke e parë suksesin e tij në mbledhjen e fondeve, ai ka vendosur ta mbajë edhe më tej afër vetes. Dje, Elvisin e ka privilegjuar madje edhe më shumë duke e ulur afër vetes, një tryezë ku ishin mbledhur kryeministri – Qeveria, organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, sipërmarrja, bankat, inxhinierët, arkitektët & urbanistët pikërisht në sallën ku mban mbledhjet qeveria shqiptare, ose siç është thënë zyrtarisht “në tryezën e Këshillit të Ministrave” me moton “TË BASHKUAR PËR T’U RINGRITUR” 🇦🇱🤝👐🏿🤲🏻 ☀.

Duke e parë dorëzimin e Ramës, Naçi është treguar i shkathët duke e tallur se edhe pse është i ulur afër tij nuk e ka ndërmend të merret me politikë dhe t’ia zë karrigen. Para hoxhës, Rama i cili kërkoi është dashur të durojë deklaratat kundër bashkimit të fondeve nga frika se mund të keqpërdoren nga qeveria. Rama nuk e ka thënë asnjë fjalë ndaj vërejtjeve të Naçit, por ky nuk ka qenë rasti ndaj gazetarit Marin Mema po ashtu i ftuar në këtë tryezë, dhe i cili reagoi ndaj kryeministrit për deklaratat linçuese ndaj medias. Rama ndaj tij ishte direkt duke i kërkuar që të jetë më tolerant ndaj mendimit të tjerëve dhe duke i përsëritur broçkullat dhe sulmet ndaj mediave.

Frika dhe nënshtrimi i Ramës ndaj Naçit mbase vjen edhe për shkak që ky i fundit gjeti forcë që t’i japë 10 mijë euro nga paratë e tij për të prekurit nga tërmeti. Politikanët shqiptarë pavarësisht se besohet që kanë vjedhur shumë para, nuk guxojnë të ndajnë para në raste të tilla pasi që në publik mund të ngrihet çështja e prejardhjes së tyre. Të rralla janë rastet kur politikanët shqiptarë asociohen me fenë pasi shumë prej tyre dihet që nuk kanë të bëjnë me religjionin pasi e përdorin atë vetëm kur kanë nevojë. Afiliacionin e tij religjioz Rama e kishte bërë publik vetëm një herë kur, gjatë vizitës së tij, Papa Françesku kishte vizituar Shqipërinë kur e kishte pagëzuar të birin e kryeministrit Zahon. Por, lirisht se mund të thuhet se Rama është konvertuar në mysliman dhe i është nënshtruar krejtësisht Elvis Naçit. E me këtë situatë po tallet ish-kryeministri dhe rivali i ashpër i Edi Ramës, Sali Berisha, i cili ka postuar fotografi me rruaza (tespihe) duke shkruar me antiplumb e tespihe. Largojmë xhind, prishim magji, bëjmë synetllëqe, espuls shengen!

Te fundit


Kthehu lart